Përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë në rastin e krerëve të UÇK-së
BKT
Gjykata Speciale

Përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë në rastin e krerëve të UÇK-së

Donika Sherifi|RTK

(E plotësuar) Në ulësen e dëshmitarit do të duhej të vinte dëshmitari i 126 i Prokurorisë së Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Por me të nisur seanca, kryetari i trupit gjykues njoftoi se ky dëshmitar mungon.

“Sot si rregull do të kishim filluar të dëgjonim dëshminë e dëshmitarit të Prokurorisë W04747. Sidoqoftë, dëshmitari nuk është në gjendje të vijë sot dhe ZPS-ja do të kërkojë të pranohet dëshmia e tij sipas Rregullës 155”, tha Charles Smith III, kryetar i trupit gjykues.

Nga Prokuroria Speciale kanë thënë për RTK-në se ky ishte edhe dëshmitari i fundit i planifikuar i prokurorisë për këtë rast gjyqësor. Kështu, të hënën përfundoi edhe lista me emrat e paraparë për dëshmi nga kjo palë.

Pas disa diskutimeve në seancë private, palët folën për dëshminë e ish-komandantit Ismet Tara, i cili kishte insistuar se intervista që i ishte treguar nga prokuroria nuk ishte e tij.

Kryetari i turpit gjykues njoftoi se është kundërshtuar kërkesa e mbrojtjes së Kadri Veselit, e cila kishte refuzuar disa deklarata të Tarës.

“Më 4 mars 2025, ZPS-ja iu përgjigj kërkesës së mbrojtjes së Veselit dhe vendosi që të rrëzohej. Sipas ZPS-së është e qartë që dokumentin që përsërit në mënyrë të vazhdueshme dëshmitari 04745 në dëshminë e tij është një deklaratë e mëparshme e dëshmitarit e vitit 2001 të cilën mbrojtja e ka në posedimin e vet dhe se mbrojtja e Veselit nuk ka paraqitur arsye të vlefshme pse janë të rëndësishme shënimet shtesë”, tha Smith III

Meqë palët nuk kishin asgjë për të diskutuar në seancën e cila zgjati më pak se një orë, Smith njoftoi për anulim të seancave të parapara për këtë javë.

“Seancën e radhës do ta planifikojmë do të thotë besoj se nuk është data 15 prill, apo jo se këta vet nuk do të jenë të pranishëm,  kështu që do ta bëjmë pas datës 15, do të bëjmë planifikimin përkatës dhe do ju njoftojmë”, tha ai.

Dhomat e Specializuara kishin planifikuar që gjatë kësaj jave të mbaheshin 4 seanca gjyqësore, por sipas kalendarit gjykimi do të vazhdojë pas më shumë se dy javësh pushim.

Dështon dëshmitari në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

SH.Ç|RTKlive

Në seancën gjyqësore në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ishte planifikuar të dëshmonte dëshmitari i 126-të, por ky i fundit nuk ishte në gjendje që të shkojë në Hagë.

Në seancë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka njoftuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë që do të kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155.

“Sot si rregull do të kishim filluar që të dëgjonim dëshminë e dëshmitarit të Prokurorisë W04747. Sidoqoftë, dëshmitari nuk është në gjendje të vijë sot dhe ZPS-ja do kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155”, ka deklaruar Smith.

Në këtë Rregull, përcaktohet se gjykatësit mund të pranojnë një deklaratë ose transkriptë me shkrim të dëshmitarit, pa u paraqitur dëshmitari në gjykatë, nëse ai është i padisponueshëm.

Parashtrimet e saj, ZPS-ja i bëri në seancë private për publikun.

Kurse këtë javë pritet që të përfundojë lista me emrat e propozuar për intervistim nga kjo palë.

“Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, ZPS do të përfundojë me dëshmitë e dëshmitarëve në gjykatë këtë javë, ndërsa do ta përfundojë çështjen e saj deri më 15 prill. Numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani dhe atyre të cilave janë pranuar me shkrim, do ta bëjë të ditur kur të jenë të gatshme”, thonë në përgjigjen e ZPS-së për RTK.

E pas prokurorisë, radha do t’u vije palëve të tjera. Në një përgjigje për RTK-në, nga Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se pasi prokuroria ta ketë mbyllur çështjen e saj, ekipeve mbrojtëse do t’u jepet mundësia të kërkojnë rrëzimin e ndonjë akuze apo të gjitha akuzave ndaj klientëve të tyre.

“Nëse vendosin të bëjnë kërkesa të tilla, ekipet e mbrojtjes kanë njoftuar se do t'u nevojiten rreth katër javë për t'u përgatitur për këtë. Pasi gjykatësit të kenë vendosur për këto kërkesa, në qoftë se kanë, Mbrojtësi i Viktimave do të fillojë të paraqesë  çështjen e tyre. Gjatë seancave të fundit, Mbrojtësi i Viktimave ka deklaruar se do të dëshironin të paraqisnin tre deri në katër dëshmitarë dhe se do t'u nevojiteshin nga një deri në dy javë për të paraqitur çështjen e tyre. Nëse Trupi Gjykues hedh poshtë plotësisht ose pjesërisht kërkesat e ekipeve mbrojtëse, atyre do t'u jepet kohë për t'u përgatitur për çështjen e tyre përkatëse. Ata kanë deklaruar se do t’u nevojiten rreth 10 javë pune për ta bërë këtë. Pasi të jenë përgatitur, ekipet e mbrojtjes do të fillojnë të paraqesin çështjet e tyre”, thonë nga Specialja.

Sipas Dhomave të Specializuara, është me rëndësi të theksohet se i takon Trupit Gjykues të vendosë për afatet kohore që do t'u jepen palëve për t'u përgatitur për çështjet dhe parashtrimet e tyre.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale