Osmani propozon marrëveshje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar
BKT
Në Fokus

Osmani propozon marrëveshje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar

V.Saraçi /RTKlive

(E plotësuar 09: 55) Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka propozuar marrëveshje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në Mbrojtje e Ekonomi, propozim ky që u mirëprit nga Sekretari britanik. Osmani tha se në takim diskutuan për thellimin e bashkëpunimit strategjik në fusha kyçe, përfshirë mbrojtjen dhe ekonominë.

“Siç diskutuam gjatë takimit, e vlerësoj shumë faktin që e keni mirëpritur propozimin tim për një thellim dhe zgjerim të partneritetit përmes një dialogu të avancuar strategjik në këto fusha. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të ekipeve dhe institucioneve tona për ta konkretizuar këtë partneritet dhe për t’i dhënë formën e duhur. Konsideroj se ka hapësirë të jashtëzakonshme për fuqizim të mëtutjeshëm të aleancës sonë dhe prezencë akoma më aktive të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Osmani.

Ndërkaq Sekretari Lammy tha të jetë mirënjohës për mundësinë që si Sekretar i Punëve të Jashtme të avancojnë partneritetin strategjik. “Dhe janë disa fusha si inovacioni e teknologjia, energjia e pastër që e shohim këtu në Kosovë. Pasi të dy vendet tona kanë bërë zotime për të rritur shpenzimet në fushën e  mbrojtjes, ka shumë gjëra që mund të bëjmë së bashku gjatë kësaj periudhe. Presidentja dhe unë kemi diskutuar bashkëpunimin në një marrëdhënie më të strukturuar mes nesh në muajt e ardhshëm dhe shpresoj se do të kthehem në Kosovë përderisa e zhvillojmë atë partneritet”, tha zyrtari i lartë britanik.

Osmani: Kosova po përballet me sulme të vazhdueshme nga Serbia

(E plotësuar 9: 51)  Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në konferencën pas takimit me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, tha se në dialog me Serbinë, Kosova mbetet një palë konstruktive e përkushtuar për paqe e stabilitet pavarësisht sepse, sipas saj, vazhdimisht vendi përballet me obstruksione e provokime nga ana e Serbisë.

Tema e dialogut, tha presidentja, ishte një nga pikat e diskutimeve që pati në takimin prej më shumë se një orësh me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.

“Një temë e rëndësishme e diskutimit tonë ishte edhe dialogu me Serbinë. Kam ripërsëritur edhe njëherë faktin Kosova mbetet një palë konstruktive e përkushtuar për paqe e stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione e provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët, e po vazhdojnë edhe tani”, tha presidentja e cila ka ripërsëritur kërkesën që autorët të përballen me drejtësinë.

“Është e domosdoshme që duhet të ketë llogaridhënie e vënie të të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, Por fatkeqësisht po e  shohim që nuk ka asnjë lëvizje nga ana e Serbisë as sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023, as sa i përket sulmit të ushtarëve të NATO-s, por as të veprimeve të fundit terroriste që kanë ndodhur në veri të vendit”, tha Osmani.

E para e shtetit ka falënderuar mMbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.

“Diskutuam edhe për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, një aspiratë që Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur që nga fillimet e raporteve tona,  siç ka qenë e fuqishme mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Osmani tha se gjithnjë mirëpresin angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar edhe sa i përket eksportit të armëve në Kosovë. “Ky hap do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e sigurisë sonë, por edhe në avancimin e industrisë së mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, tha Osmani.

Osmani takoi Sekretarin e Jashtëm të Britanisë, David Lammy

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.

Takimi i Osmanit me Lammy është duke u mbajtur në Presidencë dhe është njoftuar se pas takimit do të ketë konferencë për media.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë sot takohet me Osmanin

Sekretari i Jashtëm i Britanisë po viziton  Kosovën. Sot ai pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmani.

A.Bela /RTKlive

“Në orën 08:25, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq më pas Presidentja Osmani dhe Sekretari Lammy, do të deklarohen për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrat e tij, mbrëmë kanë shtruar një darkë pune për Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, i cili ka arritu në Kosovë për vizitë zyrtare .

Ndryshe Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, mbrem ka arritur në Ksoovë, ku në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, është pritur nga Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla,

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet mbështetëse e fuqishme e Kosovës, garanci e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe një partner kyç në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit ndërkombëtar. Kjo vizitë thekson angazhimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe avancimin e paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Përveç arritjeve të rëndësishme të Kosovës, si forcimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, zhvillimi ekonomik dhe integrimi ndërkombëtar, Ministrja Gërvalla e informoi Sekretarin Lammy për sfidat e sigurisë në Ballkan, përfshirë veprimet destabilizuese të Serbisë dhe ndikimin rus, të cilat vazhdojnë të rrezikojnë stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Ajo theksoi se vetëm përmes veprimeve të përbashkëta me aleatët mund të sigurohet ruajtja e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

“Partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të forcohet dhe të thellohet, me fokus në përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e MPJD-së..


MË SHUME NGA Në Fokus