Osmani: Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën
BKT
Në Fokus

Osmani: Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën

E.Hoti/RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot përvjetorin e masakrës së Polacit dhe Qabiqit . Ajo tha se duke nderuar martirët dhe dëshmorët, kujtohet sakrifica, mbrohet e vërteta dhe riafirmohet përkushtimi për drejtësi.

Osmani ka thënë se në prillin e vitit 1999, Polaci dhe fshatrat përreth përjetuan njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb.

“Brenda një jave, u vranë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë. Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë” ka thënë Osmani.

Tutje Osmani  ka theksouar se këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë dhe e të vërtetës që nuk guxon të harrohet.

“Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi.Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, ka theksuar Osmani.


MË SHUME NGA Në Fokus