Seanca e Kuvendit, analistët besojnë se do të zgjidhet kryetari i Kuvendit
M.M./ RTKlive
Nesër është thirrur seanca për konstituimin e Kuvendit me përbërje të re. Analistët Melazim Koci, Eugent Cakolli, Fatime Hajdari e Muhamet Hajrullahu, gjatë debatit në “RTK prime” kanë thënë se besojnë që nuk do të ketë bllokadë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në emision, Eugen Cakolli, foli për anën teknike e konstituimit të Kuvendit, si dhe formimit të qeverisë. Sipas tij, seanca e Kuvendit do të fillojë me themelimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të Kuorumit, qe duhet të prodhojë një raport, i cili duhet të sigurojë votat e shumicës së deputetëve.
Ai për ditën e nesërm parashikon tre skenarë të mundshëm që do të mund të ndodhin në seancën e Kuvendit.
“Është paradoksale që në sistemin parlamentar një parti të mund ta bllokojë pafundësisht formimin e institucioneve”, tha Cakolli në ‘RTK Prime’.
Sipas tij, skenari më i keq mund të jetë kur ministrat në detyrë të Qeverisë Kurti, nuk kanë dhënë dorëheqje dhe opozita mund ta sfidojë në këtë pikë, duke mos e votuar raportin që e përpilon Komisioni për Verifikimin e Mandateve, pa ofruar dorëheqjen, siç ka obliguar Ligji për Qeverinë.
“Mosdhënia e dorëheqjes së ministrave në detyrë pamundëson zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve”, sqaroi Cakolli.
Fatime Hajdari vlerëson se nuk do të ketë ngërç në krijimin e institucioneve në seancën e nesërm.
“Besoj se pa problem do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve. Nuk e mendoj se për shumicën e thjeshtë do të ketë telashe”, u shpreh Hajdari.
E Muhamet Hajrullahu, duke folur për seancën e nesërm të Kuvendit, tha se po debatohet se a do të mund të sigurohen numrat e votave, derisa nuk përmendet fare se cila do të jetë struktura e qeverisë se ardhshme.
“Është katastrofë ku kemi përfunduar, duke thënë: a e ka një votë, a s’e ka një votë. Diskutimi kryesor tani është te transparenca, te heshtja, te problemet”, deklaroi Hajrullahu, teksa u shpreh kritik për, siç tha ai, natën po bëhen pazaret politike për një qeveri të ardhshme.
Ndërsa, analisti Melazim Koci beson se në seancën e nesërme do të zgjidhet kryetari i Parlamentit, por jo edhe qeveria.
“Jo e gjithë opozita janë kundër zgjedhjes së kryeparlamentarit në seancën e nesërme dhe janë të interesuar të mos ketë bllokadë”, tha Koci.























