Dështon seanca konstituive, nuk ka konsensus, vazhdon me 19 prill
M.Pasoma &A.Bela|RTKlive
(E plotësuar, ora 13:25) Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka thënë se në takim me përfaqësuesit e partive nuk pati konsensus. Ndërkaq, seancën e radhës e ka paralajmëruar për të shtunën në orën 12:00.
“Pati përfaqësues që i braktisën takimin. Nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve në orën 12:00, 19 prill. Me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, theksoi Dehari.
LIVE|Dehari në konsultim me përfaqësuesit e partive politike
(E plotësuar, ora 13:08) Menjëherë pas hyrjes së sallë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ftuar për konsultim përfaqësuesit e partive politike.
“Kam nevojë që së bashku t’i thërras përfaqësuesit e partive politike në një sallë që duhet të ma siguroj sekretari, që të konsultohemi se si të vazhdojmë tutje. Ju ftoj përfaqësuesit e partive politike që të konsultohemi, që të mos bëjmë ndonjë shkelje procedurale, ligjore ose kushtetuese”, ka thënë Dehari.
RTK po transmeton program special lidhur me zhvillimet në kuvend.
LIVE| Filloi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar) Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Seanca është hapur nga kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Avni Dehari. Në sallë janë 118 deputetë.
RTK po transmeton program special lidhur me zhvillimet në kuvend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ky subjekt politik vazhdon qëndrimet e njëjta sikurse në seancën paraprake të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. “Nuk ka kuptim me ndryshu një qëndrim, në mungesë të ndryshimit të rretnanave dhe kontekstit nuk ndërron as qëndrimi”, ka thënë shkurt ai.
Para rinisjes së seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i VV-së, Albin Kurti nuk u përgjigj nëse Vetëvendosje i ka votat e nevojshme.
Para se të hynte në Kuvend, Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë shkurt se shpreson të konstituohet Kuvendi.
Pak kohë para rinisjes së seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Donika Gërvalla, deputete e zgjedhur, tha se nëse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë gati të mos bllokojnë, atëherë ndodh konstituimi.
Deputetja e VV-së, Donika Gërvalla derisa ka pranuar një letër nga OVL-UÇK për ta nënshkruar, tha se nëse opozita është gati të mos bllokojë, ne vazhdojmë përpara me proceduarat.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ekspertë të procesit dhe të ligjit kanë rekomanduar që të mos votohet raporti në lidhje me kuorumin apo prezencën, sepse në këtë mënyrë “ne bëjmë shkelje të ligjit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pak para nisjes së vazhdimit të seancës konstitutive ka thënë se deputetët nga ky subjekt politik nuk do të shkelin Kushtetutën.


Deputetët e Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ardhur në sallën e Kuvendit ku pas pak pritet të vazhdoj seanca konstituive.
Në sallë tashmë ka hyrë edhe Nenad Rashiq.
Sot në ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Partitë e opozitës, LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen, por ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të votojnë raportin e verifikimit të kuorumit.
Dje presidentja Vjosa Osmani në përgjigjjen institucionale ndaj letrës së djeshme konstituive për institucionet e reja të vendit, ka theksuar se deputetët duhet të themelojnë dhe jo të bllokojnë proceset.
Ajo iu ka referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht në Aktgjykimin e saj në Rastin Nr. KO72120.
“Në të njëjtin Aktgjykim, Gjykata gjithashtu sqaron se: ‘asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv”, duke theksuar gjithashtu se qëllimi i Kushtetutës sonë është themelimi i shpejtë i institucioneve”, ka theksuar ajo.
Ndryshe, miratimi i mundshëm i raportit të verifikimit të kuorumit dhe mandateve të 120 deputetëve të rinj të legjislaturës së 9-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do t’i hapte rrugë betimit të tyre dhe propozimit dhe zgjedhjes së kryetarit e nënkryetarëve të legjislaturës së 9-të.
Pas kësaj, do të shihet nëse partia fituese e zgjedhjeve ka numrat për ta krijuar qeverinë e re të vendit, përbërja e së cilës dhe numrat ende nuk dihen.
Nga vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës po raportojnë gazetarët e RTK-së: Edona Podvorica, Edina Avdiu dhe Valjeta Shala.























