Vdiq Papa Françesku
RTKlive
Vatikani njoftoi të hënën se ka vdekur Papa Françesko.
Ai ishte në moshën 88-vjeçare dhe kohëve të fundit kishte probleme shëndetësore.
“Të dashur vëllezër e motra, me pikëllim të thellë duhet ta njoftoj vdekjen e babait tonë të shenjtë Françesku” – njoftoi kardinali Kevin Farrell në televizionin e Vatikanit.
Papa Françesku ka lindur në Buenos Aires të Argjentinës dhe është njohur si Jorge Mario Bergoglio.
Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.
Bergoglio, i biri i imigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958.
Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.
Më 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.
I zgjedhur Papë më 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.























