Nrecaj: Kuvendi Komunal i Prishtinës i polarizuar
V.TH / RTKLive
Në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila kishte në rend dite propozim-vendimin për shqyrtimin publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive e organizatës INPO – e cila monitoron punën e Kuvendit Komunal, deklaroi se Kuvendi Komunal është thellësisht i polarizuar dhe se mungon transparenca dhe bashkëpunimi i mirëfilltë mes ekzekutivit dhe legjislativit.
“Lëvizja Vetëvendosje e kishte paralajmëruar mos pjesëmarrjen në mbledhje, kështu që, pak a shumë, Kryetari i Prishtinës e ka ditur se kjo seancë nuk do të mbahet,” tha Nrecaj.
Ajo theksoi se INPO ka bërë thirrje publike që anëtarët e Kuvendit të jenë të kujdesshëm dhe të votojnë me integritet, sidomos në rastin e propozim-vendimit për dërgimin në diskutim publik të planit zhvillimor. Sipas saj, ky është një proces teknik që kërkon vetëm një afat prej 30 ditësh për të mbledhur komentet dhe vërejtjet e publikut.
“Planet zhvillimore komunale janë dokumente voluminoze, që përmbajnë të dhëna të ndërlikuara dhe shpeshherë janë të vështira për t’u kuptuar edhe nga profesionistët, e lëre më nga qytetarët e zakonshëm,” sqaroi ajo.
Sipas Nrecajt, dokumenti është dashur të hartohet që nga fillimi në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe grupet e interesit. Ajo kritikoi mungesën e një qasjeje përfshirëse dhe transparencën në proces.
Ajo kujtoi se Komuna e Prishtinës është pa plan zhvillimor që nga viti 2019 dhe se Kryetari është dashur që menjëherë pas marrjes së mandatit të angazhohej në miratimin e tij, duke bazuar të gjitha investimet në atë plan.
“Janë nënshkruar kontrata milionëshe për projekte që nuk janë të parapara në planin zhvillimor të mëparshëm, dhe nuk dihet nëse janë përfshirë në planin aktual. Për këtë nguti dhe mungesë transparence, Kryetari duhet të japë sqarime,” përfundoi Nrecaj.























