I jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut
V.Thaçi / RTKLive
( E plotësuar 14:51) Të paktën 250 000 persona, sipas të dhënave nga Vatikani, përcollën sot për në banesën e fundit papa Françeskun.
Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Kardinali Giovanni Battista Re, kryesoi funeralin. Procesioni i gjatë i varrimit ishte pjesë e ritit të "transferimit të trupit" në Bazilikën e Santa Maria Maggiore.
Sipas raportimit të Rainews, arkivoli do të varroset, privatisht, në një varr të thjeshtë midis 'Kapelës Paolina' dhe 'Kapelës Sforza' në përputhje me dëshirat e shprehura nga Bergoglio.
Riti i varrimit u kryesua nga Kardinali Camerlengo Kevin Farrell
Kardinali Kevin Joseph Farrell, Kamerlengo i Kishës së Shenjtë Romake, kryesoi ritin e varrimit të Papa Françeskut në Bazilikën e Santa Maria Maggiore.
Kardinali Battista Re: Françesku, një Papë me zemër të hapur për të gjithë

(E plotësuar, 11:35) Në sheshin madhështor të Shën Pjetrit, në Vatikan ku për 12 vite me radhë Papa Françesku ka kremtuar Eukaristinë dhe ka drejtuar takime të rëndësishme të Kishës, sot mijëra besimtarë dhe personalitete nga mbarë bota u mblodhën në një ceremoni solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit atij.
Kardinali Giovanni Battista Re, dekan në Kolegjin e Kardinalëve, në predikimin e tij për Papën, shprehu mirënjohjen e thellë për pjesëmarrjen masive dhe përfaqësuesit zyrtarë të ardhur nga shumë shtete për të nderuar jetën dhe veprën e Papës që u nda nga jeta.
"Me zemër të trishtuar por shpresëplotë, ne jemi mbledhur për të lutur për shpirtin e tij, me besimin se jeta njerëzore nuk përfundon me varrin, por vazhdon në shtëpinë e Atit, në një lumturi të përjetshme," u tha në deklaratë Re.
Kardinali Re ndau kujtimet më të fundit të Papa Françeskut, paraqitjen publike të tij në Ditën e Pashkëve, vetëm një ditë para se të ndahej nga jeta.
“Një nga imazhet e fundit që do të mbetet në kujtesën e besimtarëve është ai i Pashkës së fundit, kur Papa, megjithëse me probleme shëndetësore, bekoj nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit dhe më pas përshëndeti popullin nga makina papnore, duke treguar afërsinë e tij të vazhdueshme me njerëzit”, tha ai.
Re shtoi se Papa Françesku do të kujtohet si një bari i mirë, që e jetoi jetën e tij me thjeshtësi, guxim dhe dashuri të pakushtëzuar për njerëzimin, duke ndjekur shembullin e Krishtit dhe duke na kujtuar fjalët e Tij: "Më i lum është ai që jep sesa ai që merr."
“Me lutjet tona, ne tani ia besojmë shpirtin e Papës sonë të dashur Zotit, që t’i japë atij lumturi të përjetshme në vështrimin e ndritshëm dhe të lavdishëm të dashurisë së Tij të pamasë,” përfundoi predikimin e tij Kardinali Giovanni Battista Re.
Papa Françeskut po i jepet lamtumira e fundit në sheshin Shën Pjetri

N.M. /RTKlive
(E plotësuar, 10:00) Mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku ka filluar ceremonia mortore për nder të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, që përfshinte komplikime kardiake.
Ceremonia mortore drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re. Trupi i Atit të Shenjtë do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, pranë Kapelës Pauline.
Në funeralin e Papës Françeskut po marrin pjesë mbi 50 liderë botërorë. Në këtë ceremoni marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, si edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Në Shën Pjetrin, në Vatikan janë të pranishëm edhe mbretër, mbi 52 presidentë, 23 krerë qeverish dhe delegacione nga 166 vende.
Vatikani njoftoi se rreth 250.000 njerëz kaluan pranë trupit të tij, i vendosur në një arkivol druri në Bazilikën e Shën Pjetrit gjatë tri ditëve para funeralit.
Sot i jepet lamtumira e fundit Papa Françeskut

Sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të zhvillohet ceremonia mortore për Papa Françeskun, lider shpirtëror i mbi 1.3 miliardë katolikëve në mbarë botën. Ai ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, që përfshinte një infeksion respirator dhe komplikime kardiake.
Varrimi i Papës Françesku do të zhvillohet të shtunën, në sheshin Shën Pjetër, në Vatikan, me një ceremoni të thjeshtë dhe pa ‘zbukurime të tepruara’, kjo njëherësh ishte edhe dëshira e tij. Ceremonia do të udhëhiqet nga Kardinali Giovanni Battista Re, ajo do të përfshijë Meshën e Requiemit, pasuar nga ceremonia e "Ultima commendatio" dhe "Valedictio", ku Papës do t’i jepet lamtumira e fundit.
Në përputhje me dëshirat e Papës, trupi i tij do të varroset në bazilikën e Shën Marisë Madhe, në Romë, në një niçë të veçantë pranë Kapelës Pauline. Ky është një vendim i veçantë, pasi Papa Françesku është Papa i parë që do të varroset jashtë Vatikanit që nga Papa Leo XIII në vitin 1903.
Në funeralin e Papës Françesku pritet të marrin pjesë mbi 50 liderë botërorë. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, si edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Po ashtu, pritet të jenë të pranishëm edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë politikë fetarë nga mbarë bota.
Kjo tregon për ndikimin të gjerë dhe të thellë të Papës Françesku në arenën ndërkombëtare.
Papa Françesku më 20 prill të këtij viti bëri paraqitjen e tij të fundit publike në Sheshin Shën Pjetër, ku apeloi për një armëpushim në Gazë. Ai vdiq vetëm një ditë pas, më 21 prill në orën 07:35, në rezidencën e tij në Domus Sanctae Marthae, pas një goditjeje cerebrale dhe arresti kardiak.
Trupi i Papës Françesku, pas vdekjes, u ekspozua për nderim publik në Bazilikën e Shën Pjetrit, më 22 prill ku mijëra besimtarë vijnë për të bërë homazhe.
Ndërsa sot më 26 prill ceremonia e varrimit do të mbahet në sheshin Shën Pjetër, me pjesëmarrjen e liderëve botërorë dhe besimtarëve nga e gjithë bota.
Papa Françesku, lindur si Jorge Mario Bergoglio më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires, Argjentinë, ishte Papa i 266-të i Kishës Katolike. Ai u zgjodh Papa më 13 mars 2013, duke u bërë Papa i parë nga Amerika Latine dhe i pari jezuit në historinë e Kishës Katolike.
Gjatë papnisë së tij, ai u dallua për thjeshtësinë, angazhimin për të varfrit dhe të margjinalizuarit, si dhe për promovimin e dialogut ndërfetar. Papa Françesku gjithashtu ishte një kritik i ashpër i ndryshimeve klimatike dhe i politikave që injorojnë të drejtat e njeriut.
Varrimi i Papës Françesku është një ngjarje e rëndësishme për Kishën Katolike dhe për botën në përgjithësi. Ai la pas një trashëgimi të pasur, duke u kujdesur për të varfrit, promovuar paqen dhe bashkëjetesën ndërfetare.
Ceremonia mortore për Papa Françeskun do të përcillet drejtpërdrejtë në RTK.























