Bajrami: VV dështoi për herë të shtatë, po përgatisim kallëzim penal
BKT
Lajme

Bajrami: VV dështoi për herë të shtatë, po përgatisim kallëzim penal

Elimna Osmani/RTK

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për përsëritjen e vendimit dhe për pengimin e procesit politik.

Ajo tha se është "çmenduri" të pritet rezultat tjetër dhe theksoi se LDK nuk ka votuar për Albulena Haxhiun dhe as për ndonjë kandidat tjetër të LVV-së. Sipas Bajramit, LVV insiston të marrë institucionet, por nuk ka vota të mjaftueshme për këtë.

Bajrami e cilësoi këtë një dështim të LVV-së, duke theksuar se ata nuk kanë ofruar mundësi për diskutim me partitë tjera. Ajo tha se LDK ka refuzuar bashkëpunimin me LVV dhe se përgjegjësia për zhbllokimin e situatës është e LVV-së, jo e LDK-së. Ajo theksoi se qytetarët nuk kanë votuar për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

"Në tërë historinë e Republikës së Kosovës ka pasur parti që nuk kanë fituar, nuk mundesh me imponu kandidatin", potencoi Bajrami.

Ajo tutje tha se kallëzimi penal është duke u hartuar. "Kallëzimi penal është duke u hartuar dhe jemi duke pritur që të kalojnë afatet. Në parti kemi shumë juristë, nuk jemi duke bërë politikë, por duke përgatitur një kallëzim penal", tha ajo.

 

 


MË SHUME NGA Lajme