Kurti nderon martirët në Mejë në përvjetorin e masakrës
Edina Avdiku/RTK
(E plotësuar) Sot shënohet përvjetori i 26-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Memorialin e të rënëve. Ai u shoqërua nga zyrtarë të tjerë qeveritarë.
Qindra qytetarë dhe familjarë të martirëve nga e gjithë Kosova janë mbledhur në këtë vend për të nderuar kujtimin e viktimave të masakrës së Mejës, një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë.
Në këtë datë, pra më 27 prill 1999, forcat serbe kryen njërën ndër masakrat më të mëdha në Kosovë, duke vrarë 377 shqiptarë, një pjesë e tyre ende të pagjetur. Ato rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
(11:41) Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur, Kurti vendos lule pranë monumentit
Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, janë bërë homazhe tek monumenti i personave të zhdukur, përballë Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë, ka vendosur lule pranë monumentit të personave të zhdukur.
Ndërkohë sot, në orën 12:30, homazhe do të mbahen në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës. Më pas, në orën 14:30, do të zhvillohen homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” pranë Bibliotekës Kombëtare. Në orën 19:00, do të mbahen homazhe dhe do të ndezën flakadanët në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe, për të nderuar ata që u zhdukën gjatë periudhës së luftës.
Në Kosovë 27 Prilli është Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli.
























