Krasniqi: Të ndërrohet kandidatja për kryetare të Kuvendit
K. K. / RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit për herën e dymbëdhjetë për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës, tha se secili duhet ta luajë rolin e vet ndaj qytetarëve.
Ai edhe sot kërkoi që të ndërrohet kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
“Ky është një degradim që asnjëherë nuk e kemi paramenduar që mund të ndodhë. Ky është edhe dhunim i verdiktit të qytetarëve të Kosovës sepse pasnesër bëhen tre muaj që i kemi mbajtur zgjedhjet dhe ato zgjedhje e kanë prodhuar këtë përbërje të Kuvendit, e cila e ka për obligim ta konstituojë Kuvendin, por tendenca e LV-së - mospajtimi për faktin që s’ka shumicë parlamentare - po e mban peng këtë proces dhe e ka lënë Kosovën pa institucione legjitime”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se si Parti Demokratike e kemi qëndrimin e njëjtë që e kemi pasur që në fillim.
“Besojmë se vendi duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara”, tha ai.























