Krasniqi: Do ta shqyrtojmë nëse duhet t’i drejtohemi Kushtetueses
V.S|RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se ende nuk e ka parë lëndën për të cilën foli lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj për ta dërguar në Kushtetuese, por ka thënë se do ta shqyrtojë atë me ekspertë të PDK-së e pastaj do të komunikojnë edhe me AAK-në.
“Nuk e kam parë ende lëndën, sapo u njoftova. Ju e dini sa i përket dërgimit të rasteve në kushtetuese, vetëm gjatë mandatit të ish- qeverisë Kurti i kemi dërguar 11 dhe i kemi fituar 11. E kemi ekspertizën e duhur për ta vlerësuar a duhet të dërguar diçka. Do ta shqyrtojmë pa paragjykim, do të marr mendimin e ekspertëve të PDK-së e pastaj do të komunikoj dhe me kolegë nga AAK-ja”, tha ai.
Ndërkohë, Krasniqi përsëriti se PDK-ja nuk do t’i japë votë Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi.
“Tash e 13 herë po dihet se Haxhiu as nuk i ka as nuk do t’i ketë votat për kryetare të Kuvendit. Më vjen keq prej qytetarëve që verdikti i tyre i shprehur para tre muajsh, e që nëse e thjeshtëzojmë dhe e përkthejmë, i ka thënë secilës parti, që sundimi njëpartiak ka marr fund . Ne do të jemi këtu edhe pasnesër, por qëndrimin do ta kemi të njëjtë, por që ka nevojë për një rrugëdalje, e rrugëdalja është e qartë duhet të ndërrohet kandidati”, tha ai.
I pyetur për një ftesë të mundshme nga presidentja për takim, tha se ata janë cdo dy ditë në Kuvend e çdo ditë në Kosovë.
“Ne jemi këtu çdo dy ditë në Kuvend e çdo ditë në Kosovë, kurdo që presidentja përmes mandatit të saj kushtetues e ligjor, sepse aktualisht nuk kemi as kryeministër as kryetar Kuvendi, na ka mbetur vetëm presidentja nga krerët e shtetit, unë besoj që do t’i përgjigjemi një kërkesë të tillë. Nuk më takon mua t’ia përcaktoj datën”, tha Krasniqi.























