Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës
BKT
Lajme

Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës

Arbresha Berisha/ RTK

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Lidhja Demokratike nisi me mbledhjen e nënshkrimeve, përmes të cilave po kërkon anulimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës, si dhe atë për kalimin e bizneseve në tregun energjetik. Teksa kanë mbetur edhe më pak se një muaj deri në fillimin e zbatimit të këtij vendimi, nga odat ekonomike në Kosovë kanë bërë thirrje që të shtyhet liberalizimi i tregut energjetik.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur të mbledh nënshkrimet e deputetëve përmes të cilave po synon të kërkoj anulimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës si dhe atë për kalimin e bizneseve në tregun e lirë.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji po rrezikojnë të nxisin një valë të re të inflacionit.

Pasoja serioze për sektorin privat kanë paralajmëruar edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Nga kjo odë, i janë drejtuar zyrtarisht ZRRE-së me kërkesë për pezullimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik.

“Sektori privat punëson mbi 330 mijë punëtorë dhe dalja në treg në këto kushte mund t’i sjellë shumë biznese pranë falimentimit për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar çmimet aktuale të tregut të hapur”, thuhet në reagimin e OEK-së.

Thirrje për shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë bënë edhe nga Oda Ekonomike Amerikane.

“Përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë të mjaftueshme për përgatitje, as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare, të cilat janë thelbësore për të shmangur goditjet financiare dhe rënien e konkurrueshmërisë”, thuhet në reagimin e OAK-së.

Rreth 1 mijë e 300 biznese pritet të kalojnë në tregun e lirë energjetik nga qershori i këtij viti. Të njëjtat kanë alarmuar se me liberalizimin e tregut do të përballen me çmime 200% më të larta të energjisë elektrike.


MË SHUME NGA Lajme