Kolaj: Konstituimi i Kuvendit kërkon konsensus politik
E.Hoti/RTKlive
Për të 15-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Të martën, edhe një herë dështoi formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Astrit Kolaj nga IKD tha se, pa një konsensus politik, do të vazhdohet pafundësisht kjo krizë.
“Kemi një stagnim te të gjitha partitë politike sa i përket konstituimit të Kuvendit. Pa një konsensus politik do të vazhdohet pafundësisht që, brenda 48 orëve, të kemi mbledhje të Kuvendit, sepse baza ligjore e lejon një gjë të tillë,” tha Kolaj në emisionin ‘Info Plus’ në RTK.
Sipas tij, është me rëndësi të thuhet se është lajm pozitiv përpjekja për të ikur nga kjo krizë politike përmes ftesës së presidentes Vjosa Osmani dhe konfirmimit për pjesëmarrje të partive kryesore politike në këtë takim. Ai tha se shpreson që ky takim të jetë një hap i parë për dalje nga ky ngërç politik.
“Është lajm i mirë që e kanë konfirmuar të gjithë pjesëmarrjen. Aty mund të ndodhë gjithçka. Mund të dilet me ndonjë marrëveshje për tejkalimin e kësaj situate, të bëhet ndonjë pajtim që presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të situatës, apo mund të mbahet vetëm takim dhe të mos ketë rezultat. Por, ne shpresojmë dhe urojmë që ky takim të ketë rezultat,” tha ai.
Kolaj theksoi se Kosova është në një krizë politike dhe është shumë e nevojshme të ketë konstituim të Kuvendit dhe formim të qeverisë, në mënyrë që të ecet përpara me procese, sepse, sipas tij, në rrethana të tilla më së shumti janë duke u dëmtuar qytetarët.























