Përfundon takimi i presidentes me liderët, s`ka marrëveshje
B.H./RTKlive
(Plotësuar, 14:45) Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me katër liderët e partive politike.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, liderët e tri partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë – Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK) deklaruan para mediave se as ky takim nuk solli ndonjë zhvillim të ri. Ata theksuan se i kanë kërkuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti që të ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke e konsideruar këtë si kusht të domosdoshëm për të ecur përpara në krijimin e institucioneve të reja.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se “as pas këtij takimi nuk ka tym të bardhë”, duke nënkuptuar mungesën e ndonjë marrëveshjeje që do të zhbllokonte situatën në Kuvend.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se takimi nuk kishte asnjë efekt konkret: “Asnjë propozim, asnjë lëvizje nga dëshira partiake. U mblodhëm për gjëra që tashmë i dimë. Si i tillë, ky takim nuk pati kurrfarë kuptimi”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se zgjidhja nuk mund të vijë nga presidentja, por është në dorën e vullnetit politik të partive.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi nevojën për konsensus rreth një kandidati unifikues për kryetar të Kuvendit: “Për kryetar të Kuvendit duhet një person unifikues, në mënyrë që të kalojmë në etapën tjetër. Kuptohet, këtë mundësi e kemi diskutuar edhe me presidenten”, tha ai.
Liderët e partive në takim me presidenten Osmani
(Plotësuar, 13:08) Liderët e partive politike kanë arritur në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai i PDK-së Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tashmë kanë hyrë në Presidencë, ku do të zhvillojnë takimin konsultativ lidhur me zgjidhjen e ngërçit politik pas dështimit të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gazetarja e RTK-së, Arlinda Sejda ka bërë të ditur se mediat nuk janë lejuar të marrin pamje nga takimi.
Ajo ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani pritet të deklarohet para mediave pas përfundimit të takimit, derisa në orën 15:00 ka paraparë një takim edhe me përfaqësuesit politik të pakicave në Kosovë.


Partitë politike te presidentja, temë zhbllokimi i Kuvendit
Sot në Presidencën e Kosovës do të zhvillohet një takim i rëndësishëm mes presidentes Vjosa Osmani dhe krerëve të subjekteve politike parlamentare.
Takimi midis Osmanit dhe liderëve politik do të zhvillohet sot nga ora 13:00.
Iniciativa e të parës së shtetit për t’i takuar ata marrë pas një kërkese nga Partia Demokratike e Kosovës, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për zhbllokimin e situatës në të cilën është futur Kuvendi i Kosovës pas moskonstituimit të plotë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Presidentja Osmani ditë më parë ka njoftuar se do të fillojë një seri takimesh për të kontribuuar në daljen nga bllokada në të cilën janë futur partitë politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Analistët politikë këtë takim po e shohin si një mundësi të mirë për konsultim për të gjetur rrugën drejt daljes nga kjo situatë, por janë skeptikë për ndonjë zgjidhje të menjëhershme.























