KOMF kërkon hetim pas gjetjes së foshnjës së pajetë pranë një deponie
E.H|RTKlive
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar pas lajmit tronditës për gjetjen e një foshnje të porsalindur të pajetë pranë një deponie në Prishtinë. Kjo ngjarje tragjike është cilësuar nga KOMF si një alarm i rëndë për institucionet përgjegjëse dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në vend.
“Asnjë foshnje, asnjë fëmijë, nuk duhet të lindë në rrethana të pasigurta, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të përfundojë në këtë mënyrë të tmerrshme,” thuhet në reagimin e publikuar nga KOMF në rrjetet sociale.
Në njoftimin e tyre, KOMF ka bërë thirrje për një hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent nga organet e rendit për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, identifikimin e përgjegjësve dhe ndëshkimin e tyre sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me dhimbje të thellë dhe shqetësim, KOMF reagon pas lajmit tronditës për gjetjen e një foshnje të porsalindur të pajetë pranë një deponie në Prishtinë. Kjo ngjarje është një alarm i dhimbshëm për të gjithë – për institucionet, sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe shoqërinë në tërësi. Asnjë fëmijë nuk duhet të lindë apo të përfundojë jetën në këtë mënyrë,” thuhet më tej në deklaratë.
KOMF gjithashtu ka theksuar domosdoshmërinë për një vlerësim serioz të funksionimit të mekanizmave parandalues, që synojnë identifikimin dhe mbështetjen e nënave që gjenden në situata të vështira sociale apo psikologjike. Në fokus janë veçanërisht nënat e reja, të cilat mund të jenë të pambështetura dhe të painformuara për ndihmën që mund të marrin.
Sipas KOMF-it, nevojitet një fuqizim i masave parandaluese, përmes ofrimit të shërbimeve psiko-sociale, programeve të prindërimit, mbështetjes për shëndetin mendor dhe fushatave të ndërgjegjësimit që promovojnë dinjitetin dhe jetën e çdo fëmije. Po ashtu, kërkohet angazhim i menjëhershëm nga institucionet e mbrojtjes sociale, shëndetësore dhe të drejtësisë për të siguruar që raste të tilla të mos përsëriten më.
KOMF u ka bërë thirrje edhe prindërve që të kërkojnë ndihmë në rast të vështirësive. “Ndihma është e qasshme, mund të lajmëroheni në Qendrën për Punë Sociale në komunën tuaj për të marrë shërbimet dhe mbështetjen e nevojshme,” thuhet në fund të reagimit.























