Krizë mbeturinash në Prishtinë
BKT
Në Fokus

Krizë mbeturinash në Prishtinë

Fatos Cërvadiku/RTK

Situata me mbeturinat në kryeqytet ka tensionuar raportet ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes publike “Pastrimi”. Teksa punëtorët protestojnë për pagesën e borxheve, kryetari Përparim Rama zhvilloi takim me sindikalistët e kompanisë, duke u shprehur se mbështet të drejtat e tyre dhe duke premtuar se askush nuk do të mbetet pa punë. Komuna ka ofruar kontratë shtesë me vlerë 1.5 milionë euro për pastrimin e hapësirave sipërfaqësore, por marrëveshja mbetet pezull.

Situata e krijuar me mbeturina në kryeqytet, që nga java e kaluar, bëri që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ta presë në takim një grup të përfaqësuesve të punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”.

E derisa zhvillohej takimi, një grup i punëtorëve të kompanisë protestonin para objektit të komunës, me kërkesa për komunën që t’ua paguajë paratë e borxhit.

Pas takimit me sindikalistët, Rama nuk u deklarua për medie, por shkroi se është në anën e punëtorëve të “Pastrimit”.

“Të drejtat tuaja nuk janë të negociueshme, dhe askush nuk do të mbetet pa punë për shkak të dështimeve menaxheriale, tha Rama.

Ndërkohë, përfaqësuesit e protestueseve zhvilluan edhe një takim me drejtorin e Shërbimeve Publike, i cili tha se kanë shprehur gatishmërinë që të nënshkruajnë kontratën 1.5 milion euro për punët shtesë me zyrtarët e kompanisë “Pastrimi”.

“Nëse krijohen kushtet nga ndërmarrja që ata të operojnë dhe të kryejnë shërbimin. Ta kanë një të tretën e regjionit të Prishtinës sepse tani veç i kemi dy operatorë ekonomik nga ana jonë nuk ekziston asnjë hezitim”, tha Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë.

Zyrtarët e “Pastrimit” janë pyetur nëse do ta nënshkruajnë marrëveshjen e ofruar nga komuna prej 1.5 milion euro për, siç kanë thënë, punë shtesë. Në një përgjigje me shkrim nga kryeshefi, Petrit Reçica, tha se Kontrata 1.5 milion euro ka të bëjë me hapësirat sipërfaqësore të mbeturinave që nënkuptojnë zona, parqe ose hapësirë të cilat konsiderohen si deponi të vogla dhe ilegale dhe të cilat nuk janë të kontraktuara më herët. Sipas tij, kjo është një kontratë që nga 15 prilli qëndron pezull nga komuna.

Por, drejtori i Shërbimeve Publike Bekim Brestovci tha se kontrata nënkupton, largimin e mbetjeve sipërfaqësore, të hapësirave të ndryshme publike në territorin e komunës së Prishtinës.

Sipas tij, komuna do të angazhohet që ndërmarrja "Pastrimi" do të ketë kontrata shesë, për mirëmbajtje të hapësirave publike për ta ruajtur qëndrueshmërinë financiare. E deri te arritja e marrëveshjes kryeqyteti mbetet pa menaxhim të mbeturinave.


MË SHUME NGA Në Fokus