Dialog Kosovë-Serbi, Kallas: Palët të kthehen në Bruksel sa më shpejt
BKT
Lajme

Dialog Kosovë-Serbi, Kallas: Palët të kthehen në Bruksel sa më shpejt

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar) Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka përfunduar vizitën në Serbi, e prej atje pritet të arrijë në Kosovë për të vazhduar më pas në Maqedoninë e Veriut.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, në konferencën për media në Beograd u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen sa më shpejt në Bruksel për të bërë hapa përpara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Duke folur për takimet që ka pasur me krerët e Serbisë, Kallas ka thënë se janë përmendur edhe çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kufitare, marrëdhëniet me fqinjët, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por është e një rëndësie esenciale për të ardhmen e Serbisë. Është koha të lihet prapa e kaluara dhe të punohet për të ardhmen e përbashkët. I ftoj përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës të vinë në Bruksel sa më shpejt të jetë e mundur dhe të diskutojnë për hapat konkret përpara”, ka thënë Kallas.

Gjithashtu, Kallas tha se në bisedat e saj me zyrtarët serbë ka theksuar se nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt BE-së dhe se është e nevojshme të zbatohen reforma, në radhë të parë ato që kanë të bëjnë me liritë e mediave, luftimin e korrupsionit, por edhe reformën zgjedhore.

Ajo i ka dhënë udhëheqësve serbë një mesazh të qartë.

“Mesazhi im për autoritetet në Beograd është i qartë. Dua ta shoh Serbinë që ec përpara BE-së. Për këtë, liderët politikë duhet të bëjnë reformat e nevojshme dhe të qartësojnë drejtimin strategjik. Kjo bëhet më së miri duke rikthyer besimin dhe duke qëndruar të vërtetë ndaj principeve demokratike”, ka shkruar Kallas në X.

Kallas në Beograd: Koha të rifillojë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj në Beograd është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pas takimit, Kallas ka thënë se është i nevojshmë përparimi në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se tash është koha që palët të riangazhohen.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri për të dyja vendet, për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. 

'Përsëri në Ballkanin Perëndimor. Do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dy ditët e ardhshme dhe do të angazhohem me qeveritë dhe shoqëritë civile të këtyre vendeve si pjesë e udhëtimit të tyre drejt Bashkimit Evropian. Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t'u riangazhuar", ka shkruar Kallas në llogarinë e saj X.Kurse presidenti serb Vuçiq, ka thënë se Serbia mbetet një partner i besueshëm për të gjithë ata që përpiqen sinqerisht për bashkëpunim, përparim dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.

Në një postim në Instagram, Vuçiq ka shkruar se ai dhe Kallas diskutuan tema kryesore gjeopolitike, situatën e sigurisë në rajon, rrugën evropiane të Serbisë, si dhe dialogun midis Kosovëss dhe Serbisë.

"Theksova se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv, nën kujdesin e BE-së, si një mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura, dhe se mbrojtja e popullit serb në Kosovë", ka shkruar ai, duke thënë se ia kujtuar asaj se formimi i Bashkësisë së komunave më shumicë serbe nuk është vetëm një detyrim i dakorduar, por edhe një parakusht për përparim të mëtejshëm në dialog dhe çdo normalizim të marrëdhënieve.

Ai ka thënë se me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, ka disktuar edhe procesin e harmonizimit të Serbisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.


MË SHUME NGA Lajme