Dështon edhe përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit|Video
BKT
Lajme

Dështon edhe përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit|Video

V.S&Sh.Ç /RTKlive

( E plotësuar, ora 11:20) Për herë të 20-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Edhe këtë herë, para vazhdimit të seancës, kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultim të shkurtër.

Megjithatë, qëndrimi i partive nuk ka ndryshuar dhe si rrjedhojë sërish nuk u arrit formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

111 deputetë ishin të pranishëm në sallë. Vazhdimi i seancës do të mbahet të dielën në orën 11:00.

Përpjekja e 20-të për konstituimin e Legjislaturës së Kuvendit

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 20-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë. Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 11:00.

Balje: M’u ofrua pozitë profesoreshë në Shkup në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

Deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se ka marrë oferta joformale për një pozitë profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka theksuar se oferta ka ardhur përmes personave që nuk janë drejtpërdrejt të përfshirë në politikë, por që kanë lidhje shoqërore me të.

“Është e vërtetë, ka pasur disa thirrje nga persona të shoqërisë, jo direkt nga politika. Më është përmendur mundësia për një vend pune si profesoreshë në Maqedoni, por e kam refuzuar menjëherë” ka deklaruar Balje.

Ajo sqaroi se oferta nuk ishte e drejtpërdrejtë dhe kishte ardhur përmes një shoqeje të saj, një mjeke nga Kosova.

Krasniqi: Nëse Kuvendi do të udhëhiqet nga Limaj, i kthehet dinjiteti

Deputetja Arbëreshë Krasniqi nga NISMA, tha se nëse Kuvendi do të udhëhiqet nga Fatmir Limaj do t'i kthehej dinjiteti.

Kështu u përgjigj ajo në pyetjen e gazetarëve se Kryetari i NISMA-s është i përfolur me qenë kandidatë i mundshëm për kryeparlamentar.

Ajo theksoi se Limaj do të jetë pjesë e debateve televizive dhe do deklarohet personalisht për takimin me Kurtin.

“Kryetari Limaj do jetë pjesë e debateve televizive dhe do ketë një kohë më të gjatë që ta trajtojë dhe diskutoj këtë takim që ka ndodhur me Kurtin”, tha Krasniqi.

Haradinaj: Kemi shpresë që LVV-ja propozon kandidat unifikues

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj nuk ka treguar nëse do ta votonin Fatmir Limajn për kryeparlamentar, me të cilin ndanë rrugët pas zgjedhjeve, por ka përsëritur emrat që sipas tij do të mund të kishin votën e AAK-së e që do të ishin Shqipe Selimi, Saranda Bohujevci e Glauk Konjufca.

“Po mbajmë shpresë që do të propozohet një kandidat unifikues edhe pse nuk është përgjegjësi e jona. Ne e kemi dhënë një opsion për të dalë nga kjo gjendje. Ne do të jepnin votim për emrat që i kemi propozuar”, tha ai.

Ndërkohë për Limajn tha se nuk mund të jap një mendim meqë nuk është diskutuar kjo çështje në parti.

Hasani: As Limajn nuk e votoj për kryeparlamentar

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, tha se ndonëse ka pasur takime me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu rreth përkujtimit për masakrën e Dubravës, kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij në raport me votën e tij kundër saj.

Ka thënë se qëndrimi i tij dhe i PDK-së mbetet i njëjtë. I pyetur nëse do ta votonte Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit, ai tha jo.

Lushaku-Sadriu: LVV-ja s’ka lënë hapësirë për partneritet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka lënë hapësirë për partneritet. 

“Sot kemi përpjekjen e 20-të me radhë për ta konstituuar Kuvendin dhe kjo ka shfaqur një paaftësi të partisë fituese për ta siguruar shumicën në Kuvend. Dhe kjo tregon që partia fituese nuk ka lënë aspak vend për partneritet, partneritet përmbajtjesorë që do t’i siguronte Kosovës të mira”, theksoi ajo

Ajo ka theksuar se LDK-ja ka bërë propozimet për të dalë nga situata e krijuar. Sipas saj zgjidhja është nje qeveri kalimtare deri në zgjedhje.  Lushaku-Sadriu ka thënë se për qeveri kalimtare preferojnë që kryeministër të jetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sot përpjekja e 20-të për konstituimin e Legjislaturës së Kuvendit

Deputetët pritet të mblidhen nga ora 11:00 për të vazhdimin e 20 me radhë, në përpjekje për të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. 

Të mërkurën ka dështuar përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nën drejtimin kryesuesit Avni Dehari, seanca nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni. 

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 54 deputetë, një votoi kundër, ndërsa abstenime nuk pati. 

Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet tash e 19 herë, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike.


MË SHUME NGA Lajme