Rashiq dënon rastin e djeshëm në Veri, do të kërkojë nga IPK hetim
A.B|RTklive
Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, ka reaguar në lidhje me rastin e djeshëm që ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut, duke e dënuar ashpër këtë incident dhe duke shtuar se, sipas kësaj partie ka pasur ‘‘përdorim të papërshtatshëm të forcës nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj një maturanti’.
Rashiq ka deklaruar se përdorimi i mundshëm i forcës ndaj të rinjve përbën një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike dhe përkeqëson edhe më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në veri të Kosovës.
Po ashtu, në reagim njoftohet se Rashiq ka biseduar me Xhelal Sveçlën dhe ka kërkuar që të ndërmerren masat e mundshme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
‘‘Gjithashtu, Rashiq njoftoi se të hënën do të dorëzojë një kërkesë zyrtare pranë Inspektoratit të Policisë së Kosovës për një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës mbi të gjitha rrethanat e këtij rasti, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë dhe parandalimit të incidenteve të ngjashme në të ardhmen’’, thuhet mes tjerash në reagim.























