Kosova pret trupat ushtarake të SHBA-së, nisin përgatitjet për stërvitje
BKT
Në Fokus

Kosova pret trupat ushtarake të SHBA-së, nisin përgatitjet për stërvitje

Arbresha Berisha/ RTK

Në Gjakovë ka nisur pritja dhe përgatitja e njësive ushtarake të SHBA-së dhe shteteve tjera të cilat do të nisin stërvitjet në kuadër të “Defender 2025”. Mbajtja në Kosovë e stërvitjes më të madhe ushtarake të drejtuar nga ushtria e SHBA-së, thuhet se do të luajë rol të rëndësishëm në aspektin e sigurisë dhe politik të Republikës. E sipas njohësve të fushës, ky ushtrim po bëhet edhe për ta ruajtur situatën e sigurisë në Ballkan.

Kosova është nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake “Defender 2025”, e cila drejtohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trupat ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës bashkë me ushtarë nga SHBA-ja e shtetet e tjera, nga e hëna kanë nisur të mblidhen në Babaj të Bokës së Gjakovës.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë për RTK-në se gjatë ditës së hënë do të përgatiten për pritjen dhe vendosjen e njësive pjesëmarrëse në këtë ushtrim.

E gjatë ditëve të ardhshme, forcat ushtarake do t`i zhvillojnë stërvitjet të cilat synojnë të forcojnë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojnë kapacitetet ushtarake të shteteve.

Ish-gjeneralë të FSK-së thonë se organizimi i kësaj stërvitjeje në vend luan rol të rëndësishëm, qoftë në aspektin e sigurisë, po ashtu edhe në atë politik.

Sipas tyre, organizimi i stërvitjes në këtë pjesë të Ballkanit nuk është rastësi, sidomos pas përpjekjeve serbo-ruse për destabilizim të situatës.

Rreth 12 mijë trupa ushtarake do të mblidhen në Ballkan në kuadër të fazës së dytë të stërvitjes “Defender”.

Kosova është përzgjedhur si vend ku do të vendoset komanda e divizionit 28 të këmbësorisë së ushtrisë së SHBA-së. Ky divizion do t`i drejtojë të gjitha operacionet dhe ushtrimet që do të zhvillohen në Ballkan.


MË SHUME NGA Në Fokus