Nishori: Përkrahja e familjes ka qenë mbi të gjitha
E.Hoti/RTKlive
(E plotësuar) Po vazhdon sot në ditën e dytë, Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë, nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani. I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Ramadan Nishori, ka rrëfyer historinë e tij në panelin me temën “Forca dhe rrëfimi i të mbijetuarve”, në këtë forum.
Nishori, i cili është burri i parë që publikisht rrëfeu se është dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë ka treguar se si i ka ndikuar mbështetja e familjes në përballimin e traumës dhe paragjykimeve.
Ai ka thënë se në fillim ka qenë e vështirë për të që të lajmërohet në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT), por guximin e ka marrë vetëm pasi është siguruar nga Vasfije Krasniqi-Goodman se aty gjithçka mbetet konfidenciale.
“ Me ndihmën e Vasfije Krasniqit jam lajmëruar në organizatën KRCT te Feridja të cilët na kanë pritur shumë mirë.Në fillim për mua ka qenë shumë vështirë derisa jam ofruar në organizatë. Unë disa herë jam ofruar por nuk kisha guxim të hyja brenda pasi më vinin shumë pyetje në kokë se më sheh dikush duke hi mbrenda.Pasi kemi biseduar me Vasfijen, ajo më tha se mund të shkosh sepse gjithçka që flitet aty është konfidenciale.Ajo ditë ka qenë për mua shumë e rëndë sepse mendoja se do më përqeshnin dhe paragjykonin, por megjithatë vendosa të lajmërohem. Me ndihmën e psikologes time Selvijes kam shkuar i dërmuar".
"Para se të shkoj në këtë organizatë kam menduar t’i bëj keq vetes, por falë psikologes dhe ndihmës që më kanë dhënë këta, unë sot jam këtu. Falë seancave këtu ndihesha më i përkrahur dhe pas disa vitesh nisëm të merrnim pjesë edhe në seanca grupore ku mora më shumë forcë”, ka deklaruar ai.
Nishori ka thënë se përkrahja e familjes për të ka qenë mbi të gjitha dhe se i kishte dhënë forcë për të pëballaur atë që i kishte ndodhur.
“Forca më e madhe ka qenë kur i tregova bashkëshortes. Aty hoqa një barrë të rëndë prej vetes. Për ne të mbijetuarit sidomos mbrëmja është shumë e vështirë dhe nuk kisha me nevojë të ikja prej shtëpisë, por i qanim hallet me bashkëshorten.", ka thënë ai.
Pas një kohe, ai tha se bashkë me gruan vendosën që t’ia tregojnë historinë e tij edhe vajzës së tyre, e cila është studente.
"Pas një kohe duke biseduar me gruan dhe psikologen, i thashë çka ta merr mendja t’i tregoj edhe vajzës. Vajza ishte në fakultet dhe po i them kur të kthehet të dalim për kafe dhe të bisedojmë diçka. Nuk mund t’ia shprehja me fjalë dhe kisha marrë me vete vendimin që më ishte pranuar statusi dhe atë ia tregova asaj. Më tha se këtë çështje e dinte tash e tre-katër vjet, por nuk ka dashur të më thotë diçka pa i treguar unë. Vajza më tha se deri tani e kam pasur përkrahjen e saj dhe se tani do ta kem edhe më të madhe”, ka theksuar ai.
Nishori ka njoftuar se pas deklarimit të tij publik, edhe katër persona të tjerë i kanë lajmëruar rastet e tyre në organizata.
“Mos të hezitojnë të lajmërohen dhe të marrin ndihmë psikologjike dhe të bëjnë padi te organet e drejtësisë. Unë prej 14 prillit kur kam folur publikisht, janë lajmëruar nëpër organizata edhe katër persona tjerë”, ka theksuar ai.
Para rrëfimit të Nishorit fjalë rasti pati edhe Venesa Sylejmani, vajza e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Shyhrete Tahiri-Sylejmani.
Ajo tha se trauma nuk prek vetëm një gjeneratë. “E kam pa nënë time duke u mundur të mbijetoj për çdo ditë jo vetëm për atë çka ka ndodhur gjatë luftës, por stigma, heshtja dhe mungesa e drejtësisë. Të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk janë viktima të pafuqishme, janë gra dhe burra që kanë treguar forcë për të jetuar me plagët e të kaluarës”, tha Sylejmani.
Ndërsa ukrainasja Alisa Kovalenko, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës ka treguar se është dhunuar nga oficerët e inteligjencës së Rusisë. Ajo ka thënë se ka punuar në mënyrë aktive për drejtësi dhe i ka ndihmuar edhe të tjerët.
“Para dy viteve e takova një 70 vjeçare që po jepte dëshmi se çfarë i kishte ndodhur.Ne filluam t’i ndihmojmë. Është diçka unike kur e sheh procesin e shërimit të dikujt tjetër dhe kjo ju shëron edhe juve. Kjo më motivon për punën në organizatë”, ka shtuar ajo.
Williams: Jetët e grave janë formësuar nga pabarazitë e thella

Sandra Williams, gruaja e guvernatorit të përgjithshëm të ishujve të Karaibeve, Antigua dhe Barduas, Rodney Williams , gjatë fjalimit të saj në ditën e dytë të Forumit Ndërkombëtar që po mbahet në Prishtinë, ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për mikpritjen e ngrohtë me rastin e organizimit të këtij forumi.
“Zotimi i juaj i palëkundur për të organizuar dhe për të avancuar agjendën Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është një fanar i frymëzimit për të gjithë ne që jemi këtu. Ju na rikujtoni që lidershipi dhe udhëheqja nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e një detyre publike, por për luajtjen e një roli për zërat që kanë qenë të heshtur tepër gjatë dhe për të çuar më tutje përpjekjet për drejtësi dhe paqe”, tha Williams.
Ajo tha se përgjatë kontinenteve, kulturave dhe historisë, jetët e grave janë formësuar nga pabarazitë e thella.
“Gratë gjymtohen në emër të traditës, rrihen prapa dyerve të mbyllura, u mohohet qasja në arsim. Këto janë realitete të përditshme të miliona motrave tona anembanë botës. Për këtë arsye forumet si ky për Gratë, Paqen dhe Sigurinë kanë rëndësi kaq të madhe ngase na ofrojnë një platformë jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar”, theksoi ajo.
Sipas saj, paqja nuk është e mundur nëse gjysma e popullsisë mbetet e përjashtuar. “Zhvillimi nuk është i vërtetë nëse varet vetëm në punën e burrave”,ka thënë ajo.
Dita e dytë e Forumit Ndërkombëtar është hapur me një performancë të Rona Nishliut, këngëtares që e përfaqësoi Shqipërinë në garën e këngës “Eurovision” më 2012.























