Këshilltari i ud. drejtorit të RTK-së reagon ndaj deklaratave të Bajramit
BKT
Lajme

Këshilltari i ud. drejtorit të RTK-së reagon ndaj deklaratave të Bajramit

RTKlive

Pas një bojkoti trevjeçar, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, u rikthye në Radio Televizionin e Kosovës për një intervistë në RTK PRIME. Përpara paraqitjes së saj, ajo publikoi një status në rrjetet sociale, ku akuzoi RTK-në se është kapur nga pushteti aktual.

"Ky bojkot ishte protestë ndaj mënyrës se si LVV e shndërroi RTK-në në zgjatim të pushtetit të vet, përmes vendosjes së shërbyesve të saj në bord, vendosjes së menaxhmentit krejtësisht politik, në kundërshtim të plotë me ligjin e RTK-së dhe të gjitha standardeve etike e profesionale për funksionimin e medias publike, si shtyllë e demokracisë së një shteti të lirë", shkroi Bajrami në Facebook.

Sipas saj, LDK-ja është kthyer për të kontribuar në ndryshimin e këtij realiteti, sepse qytetarët “meritojnë të dëgjojnë të vërtetën nga një medium që duhet t’i shërbejë publikut”.

Në lidhje me këto akuza reagoi Fadil Hoxha, këshilltari i ud. drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, përmes një postimi në Facebook. Ai hodhi poshtë pretendimet për kapje politike të televizionit publik, duke përmendur disa raste të punësimeve në RTK për të cilat aludoi se anëtarë të LDK-së kanë ndikuar në punësimet e tyre.

Ai tha se aktualisht “drejtoria e burimeve njerëzore dhe ajo financiare janë në duart e familjarëve të lidhur me LDK-në”, dhe se ky fakt dëshmon që “në RTK sot nuk ka më asgjë për të fshehur apo keqpërdorur, siç ka ndodhur në të kaluarën”.

Tutje, Hoxha tha se është e vërtetë që RTK sot është në një gjendje të rëndë financiare dhe me kushte të vështira pune. "Për këtë gjendje, përgjegjës janë të gjitha pushtetet që me vite të tëra nuk kanë bërë përpjekje serioze për ta rregulluar ligjërisht funksionimin e saj", theksoi ai.

Mes tjerash, Hoxha vlerësoi vendimin e LDK-së për t’u rikthyer në RTK, duke e konsideruar këtë si një hap të drejtë, dhe bëri thirrje që tani të punohet për t’i dhënë televizionit publik një status të qartë ligjor, me financim të qëndrueshëm dhe autonomi nga politika. 

RTKlive ka kontaktuar me personat e përmendur në statusin e këshilltarit Hoxha, por deri në publikimin e lajmit, nuk ka marrë një reagim zyrtar. 


MË SHUME NGA Lajme