Vëllai i Liridona Ademajt: Dhimbja po na shtohet, fëmijët po rriten pa nënë
Sh.Ç /RTKlive
Pak orë para mbajtjes së seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, vëllai i saj, Leonardi, ka thënë se familjes po i shtohet dhimbja teksa ka uruar që gjykimi të përfundojë shpejt.
“Sot në ora 13.20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejt”, ka shkruar ai në Facebook.
Liridona ishte vrarë më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës. Në rastin për vrasjen e saj akuzohen bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla. Seanca të mërkurën do të mbahet me fillim prej orës 13:20.
Vrasjen e Liridona Ademajt, sot seanca gjyqësore
Do të mbahet sot seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Seanca mbahet në ora 13:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
Plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tash i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
E i akuzuari Tom Dodaj u deklaruar fajtor. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.























