Presidenca: Data e zgjedhjeve lokale caktohet ditët në vijim
BKT
Në Fokus

Presidenca: Data e zgjedhjeve lokale caktohet ditët në vijim

E. Avdiu /RTK

(E plotësuar) Presidentja Vjosa Osmani ka takuar përfaqësuesit e partive politike lidhur me caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

"Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale", thuhet në njoftimin e Presidencës.

Fillon takimi në Presidencë

Në një nga zyrat e Kuvendit të Republikës ka nisur takimi i thirrur nga e para e shtetit, Vjosa Osmani, me liderë të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Takimi konsultativ, i cili ka filluar nga ora 14:00. Ndryshe nga partitë e tjera që po përfaqësohen nga liderët e tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar Albulena Haxhiun.

Nga PDK-ja aty është Memli Krasnqi si kryetar i kësaj partie. Edhe LDK-ja po përfaqësohet nga kreu i saj, Lumir Abdixhiku.

Aty është edhe Ramush Haradinaj që e drejton AAK-në, e Faton Peci që është bashkëkryesues i partisë “Guxo”, sikurse edhe Mimoza Kusari- Lila që e drejton “Alternativën”, këta dy të fundit që janë në koalicion në nivel qendror me LVV-në.

Edhe Fatmir Limaj i është përgjigjur ftesës së presidentes, sikurse edhe përfaqësues të partive nga komunitetet në vend, por jo edhe Lista Serbe.

Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë se menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve lokale.


MË SHUME NGA Në Fokus