Çeku Abdixhikut: Nuk ndalohen projektet kur respektohet ligji
V.S|RTKlive
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku i është kundërpërgjigjur liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Çeku ka thënë se janë akuzuar për bllokim të punëve në Teatrin Dodona, çka sipas tij, nuk është e vërtetë.
Sipas tij, pëlqimi për Dodonën është dhënë, sepse komuna e ka respektuar ligjin e rekomandimet e profesionistëve, dhe kjo, sipas ministrit në detyrë vlen edhe për rastet tjera.
Ai i ka bashkuar edhe dokumentin e pëlqimit nga Instituti i Kosovës për mbrojtjen e Monumenteve që funksionon nën ombrellën e MKRS-së.
Çeku ka thënë se asnjë projekt nuk mund të ndalohet kur respektohet dhe zbatohet ligji, por vetëm kur ka neglizhencë dhe shkelje të qëllimshme.
“I nderuar kryetar Abdixhiku, e di që e keni nisur fushatën, por ju ftoj të jeni korrekt në raport me të vërtetën. Na keni akuzuar për bllokim të punëve në Teatrin Dodona. Nuk është e vërtetë, shiheni më poshtë pëlqimin e Institutit. Pëlqimi për Dodonën është dhënë sepse komuna e ka respektuar ligjin dhe rekomandimet e profesionistëve. E njëjta vlen edhe për rastet e tjera. Asnjë projekt nuk mund të ndalohet kur respektohet e zbatohet ligji. Sigurisht se e kundërta ndodh kur ka neglizhencë dhe shkelje të qëllimshme por në këtë rast përgjegjës është ai që shkel ligje e jo ata që e zbatojnë atë. Pra, është tejet e thjeshtë, por është edhe në dorën tuaj. Ose bëni lojë politike me projektet që janë në interes të qytetarëve ose e respektoni rrugën institucionale dhe pajiseni me pëlqime për të vazhduar pastaj me punë”, ka shkruar Çeku.
Reagimi i çekut ishte si kundërpërgjigje ndaj kreu të LDK-së që një ditë më parë shkroi: “Ndalohet”, thoshte shkresa, “pastrimi i pluhurit të Teatrit Dodona“. Këtë urdhër, të njëfarë inspektorati - në thënçin ashtu - e kishin nisur drejt Komunës, për të ndaluar edhe një punë diku. Merreni me mend. Të ndalosh punën, në vendin më të dobët ekonomikisht në kontinent”, kishte shkruar ndër të tjera Abdixhiku, teksa kishte thënë se ritmi i punëve në kryeqytet do të shtohet në secilën ditë, e pavarësisht, sipas tij, pengesave, do të përfundohen.























