Krijimtaria 55-vjeçare e profesorit Isa Alimusaj
Flora Maxharraj|RTK
Brenda mureve të shtëpisë-muze ndodhen më shumë se 12 mijë vepra arti. Ato janë të ndara në cikle, ku secila mbart peshën dhe mesazhin e vet nga koha në të cilën është punuar. Gjithë kjo pasuri arti është fryt i përkushtimit të madh të piktorit akademik dhe profesorit universitar të Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Isa Alimusaj.
Në këto 55 vjet krijimtarie, ai ka realizuar ekspozita personale dhe kolektive brenda dhe jashtë vendit. Vepra e tij ka zënë vend në shumë shtete të botës.
Rrugëtimi i tij nuk ka qenë aspak i lehtë, por pikërisht kjo histori e vështirë dhe sakrifica e madhe e popullit tonë është bërë frymëzimi më i madh për profesorin Alimusaj, që gjithçka ta ndriçojë përmes veprave figurative.
Sipas profesorit Isa Alimusaj, cikli më i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është “Profilet Dardane”, që janë të lidhura ngushtë me njeriun tonë dhe simbolikën “njeriu është më i fortë se guri”.
“Që në fëmijëri jam orientuar drejt pikturës, vizatimit dhe krijimtarisë figurative. Kam vazhduar pa hezitim, sepse gjithmonë kam dashur që fati im të lidhet me njeriun tonë në Kosovë. Njeriu ynë gjithmonë ka qenë i vuajtur, dhe kam menduar ta ndriçoj këtë përmes veprave të mia. Me ciklin ‘Profilet Dardane’ kam nisur që nga vitet ’80, dhe ky cikël përbën bazën themelore të gjithë krijimtarisë sime. Ai është i lidhur ngushtë me njeriun tonë dhe me thënien popullore ‘njeriu është më i fortë se guri’, ose ‘guri rënd peshon në vend të vet’, siç e thotë populli,” – tha Alimusaj.
Brenda mureve të kësaj shtëpie-muze arti janë të prezantuara mbi 20 cikle në tri kate, ku secili cikël mbart një mesazh të veçantë.
Në katin e dytë të muzeut janë prezantuar cikle të kombinuara si: “Ekzodi”, “Shpellat”, “Parakullë”, ndërsa në qendër të dhomës ndodhet portreti i nënës.
Në një nga dhomat e këtij kati, profesori ka paraqitur kolazhe që dokumentojnë ngjarjet e vitit 1998 në Prekaz, si dëshmi e përjetimeve të njerëzve të pafajshëm.
Kati i tretë është i mbushur me vepra të ndryshme të punuara mbi temën e ekzodit.
Profesori Isa Alimusaj thekson se vendi ynë është i pasur me kulturë dhe art, dhe se këto vlera duhet të përfaqësohen në muze të mirëfillta për t’ia treguar botës trashëgiminë tonë. Ai shton se planet e tij janë që të finalizojë krijimtarinë e vet me një monografi përmbledhëse.























