Gërvalla në Luksemburg për 40-vjetorin e `Marrëveshjes së Shengenit`
BKT
Lajme

Gërvalla në Luksemburg për 40-vjetorin e `Marrëveshjes së Shengenit`

G.K/RTKlive

Me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Xavier Bettel, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për në Luksemburg për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Shengenit.

“Ceremonia do të mbahet të shtunën, më 14 qershor 2025, në Shengen, vend simbolik në historinë evropiane, ku katër dekada më parë u hodhën themelet e lëvizjes së lirë ndërmjet shteteve të Evropës,” njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në këtë ngjarje jubiliare, në prani të Lartmadhërisë së Tij, Dukës së Madh të Luksemburgut Henri, do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, shteteve të ndryshme evropiane, vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

“Në kuadër të kësaj ngjarjeje do të përurohen Muzeu Evropian i Shengenit dhe anija e restauruar Princesse Marie-Astrid Europa, vendi ku, më 1985, u nënshkrua Marrëveshja historike që shënoi fillimin e zonës së lëvizjes së lirë brenda Evropës,” thuhet më tej në komunikatë.

MPJD thekson se “pjesëmarrja e Ministres Gërvalla në këtë përvjetor jubilar nënvizon përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj vlerave evropiane, integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërkufitar që përfaqëson në thelb Marrëveshja e Shengenit.”


MË SHUME NGA Lajme