Muhaxheri: Me RTK-në në Pejë, qytetarët do të jenë më të informuar
V.S|RTKlive
Studio e “Info Plus” të RTK-së këtë të hënë është zhvendosur nga Prishtina në ambient të hapur në sheshin e qytetit të Pejës, pikërisht në ditën e çlirimit të kësaj komune, e që do të jetë edhe zyrtarizimi i zyrës së tretë rajonale të Radio Televizionit të Kosovës. Pas asaj në Mitrovicë e Prizren, RTK-ja do të ketë zyrë rajonale edhe në Pejë.
Kryetari i kësaj komune, në një intervistë për “Info Plus”, tha se televizioni publik do t’i ofrohet më afër qytetarëve të Rrafshit të Dukagjinit, ku do të ketë ambiente të mira për të përcjellë informatat nga ky rajon.
“Unë besoj që është hapësirë e veçantë në Qendrën Rinore, prezenca juaj aty do t’i japë një dimension tjetër Qendrës Rinore”, tha në këtë intervistë në studio të hapur në qytetin e Pejës, kryetari Muhaxheri.
Ai tha se qytetarët e këtij rajoni do të jenë më të informuar për të gjitha aktivitetet që ndodhin.
“Besoj që me kohë do të ketë fokus në të gjitha lëmitë: sport, turizëm, aktivitete rinore. Do të ketë mundësi që qytetarët të shohin shumë aktivitete që zhvillohen e kalojnë pa u parë prej tyre, sepse Zyra për Informim nuk është në gjendje t’i përcjellë të gjitha”, tha ai.
Muhaxheri foli për 26-vjetorin e çlirimit të komunës.
“Kur ndalet njeriu të mendojë, është një jetë e tërë, është një kohë e gjatë dhe zhvillim i hovshëm. Ndoshta shumë njerëz nuk janë të kënaqur me atë që është arritur, ka mundur të shkojë edhe më shumë, por të krahasohet me ’99-ën është me të vërtetë një diferencë e madhe”, tha ai.
Ai tregoi se Peja doli nga lufta me 11 mijë shtëpi të djegura, qindra të vrarë, të plagosur e të plaçkitur, por tha se, falë vullnetit të madh të qytetarëve dhe ndihmës së madhe nga ndërkombëtarët, arritën ku janë sot.
Gazetari Feim Kurhasani: Hapja e studios së RTK-së në Pejë një lajm i mirëpritur për komunitetin
Një pjesë e këtij emisioni iu kushtua edhe gazetarëve të këtij qyteti.
I ftuar në studion e hapur të magazinës “Info Plus” ishte gazetari shumëvjeçar nga Peja, Feim Kurhasani.
“Jam i nderuar që në këtë ditë të jem pjesë e këtij eventi special për Pejën,” tha ai.
Ai ka treguar si e ka pritur lajmin kur mësoi se RTK do të ketë zyrë në Pejë.
“Kur mësova që do të nisin hapat e parë për hapjen e studios së RTK-së në rajonin e Pejës, vërtetë ishte një lajm, jo i jashtëzakonshëm, por një lajm që e kam pritur kamotshëm nga RTK-ja, aq më tepër që Peja me komunat përreth ka mbetur anash. Peja nuk ka një televizion nga shtatë komunat e mëdha që i ka Kosova, nuk ka televizion lokal. Kjo iniciativë do të jetë e mirëpritur nga qytetarët e komunës së Pejës në mënyrë që realiteti, përditshmëria, jeta të jetë sa më afër qytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë,” tha ai.























