Rizanaj: Rrjeti propagandistik rus ‘Pravda’ me rreth 2700 artikuj në shqip
BKT
Lajme

Rizanaj: Rrjeti propagandistik rus ‘Pravda’ me rreth 2700 artikuj në shqip

V.S|RTKlive

“Pravda” është rrjeti i madh propagandistik dhe dezinformues rus, për të cilin organizata “Hibrid” në Kosovë ka bërë hulumtime, dhe gjetjet i ka përmbledhur në një raport të publikuar sot.

Hulumtimi, sipas “Hibrid”, ka nxjerrë në pah se ky domen apo portal në shqip funksionon nga marsi i vitit të shkuar, dhe nga atëherë deri në prill të këtij viti janë publikuar diku rreth 2700 artikuj në shqip. Hulumtimi tregon gjithashtu se në këtë platformë të “Pravdas”, narrativat kryesore janë pro-ruse dhe pro-serbe, kundër NATO-s, dhe anti-perëndimore, ku NATO-ja etiketohet si agresore, BE-ja si e paaftë për të zgjidhur problemet në Ballkan, dhe SHBA si manipuluese.

Të gjitha këto detaje të raportit i ka ndarë me magazinën “Info Plus” të RTK-së Festim Rizanaj, hulumtues në “Hibrid”, i cili tha se “Pravda” është një rrjet propagandistik që Rusia e servon kohëve të fundit me idenë që t’i plasojë narrativat pro-ruse në infosferën digjitale.

“Nga hulumtimi kemi gjetur se domeni apo portali në shqip funksionon nga marsi i vitit të shkuar dhe nga marsi 2024 deri në prill 2025 janë publikuar diku rreth 2700 artikuj në shqip lidhur me zhvillime të ndryshme që ndodhin në botë, lidhur me Rusinë, Kosovën dhe rajonin. Qëllimi kryesor i këtij portali të maskuar është që të plasohen narrativat ruse mbi zhvillimet në botë, njëkohësisht mbi Rusinë, luftën në Ukrainë e shtetet përreth, por edhe për Ballkanin dhe shtetet që janë në Ballkanin Perëndimor, duke i plasuar qëndrimet dhe narrativat e tyre kundrejt këtyre ngjarjeve”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se në mesin e 2700 artikujve, kanë analizuar diku rreth 1 mijë, për të nxjerrë se çfarë narrativesh servohen në këtë platformë në shqip të “Pravdas”.

“Kemi dashur të shohim se si Kosovën e paraqesin në këtë portal. Kemi parë që ka narrativa të ndryshme për Kosovën, duke e delegjitimuar shtetësinë e saj, duke bërë krahasime me Krimenë, Ukrainën dhe çdo zhvillim që ndodh brenda Kosovës e që ndërlidhet me komunitetin serb. Mundohen që shtetin e Kosovës ta paraqesin si një shtet agresor ndaj komunitetit serb këtu”, tha në “Info Plus” Rizanaj.

Ai tregoi se ideja e publikimit të këtij raporti është që t’i bëhet me dije audiencës se ekziston një platformë e tillë dhe se mund të bien pre e keqinformatave që mund të qarkullojnë në shqip nëpërmjet kësaj platforme.

Rizanaj sqaroi se “Pravda” është një platformë e automatizuar me një qendër të centralizuar, ku nëpërmjet saj krijohen disa domene apo faqe të cilat janë të maskuara si portale informative në gjuhë të ndryshme, me target shtete të ndryshme, dhe në kuadër të atyre faqeve të maskuara si portale plasojnë artikuj të ndryshëm informativë, nëpërmjet së cilëve ka edhe dezinformata të ndryshme, por njëkohësisht edhe plasohen narrativat pro-ruse lidhur me zhvillimet e ndryshme që ndodhin në botë.


MË SHUME NGA Lajme