Trump: Duhej ta merrja Çmimin për Paqe për marrëveshjen Kosovë-Serbi
RTKlive
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se meriton Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tij në disa zona të konfliktit në botë, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, por thotë se ky çmim po i mohohet për arsye politike.
Në një deklaratë për gazetarët të premten, Trump u pyet për sugjerimin e ish-kongresistit Matt Gaetz, i cili tha se Trump duhet të nderohet me Çmimin Nobel nëse arrin të ndërmjetësojë një marrëveshje që lejon inspektime bërthamore në Iran dhe Izrael. Gaetz shkoi edhe më larg, duke sugjeruar se çmimi duhet të riemërtohet në “Çmimi i Paqes Trump” nëse presidenti arrin një marrëveshje të tillë.
Trump u ankua se është anashkaluar disa herë për këtë çmim dhe përmendi disa zona ku sipas tij ka kontribuar në arritjen e paqes, përfshirë edhe Kosovën.
“Ata duhet të ma japin Çmimin Nobel për Ruandën – a e keni parë? – për Kongon? Mund të thuash Serbia-Kosova. Mund të përmendësh shumë të tjera. Ajo e madhja është India dhe Pakistani. Duhej ta kisha marrë katër ose pesë herë. Edhe për Marrëveshjet Abraham, do të ishte rast i mirë,” tha Trump, duke iu referuar marrëveshjeve të vitit 2020 ndërmjet Izraelit dhe disa vendeve arabe.
Sipas tij, Çmimi Nobel për Paqe i jepet vetëm figurave liberale dhe për këtë arsye ai nuk ka pasur asnjëherë shans ta marrë atë.
“Ata nuk do të ma japin Çmimin Nobel për Paqe sepse ia japin vetëm liberalëve,” tha ai.
Deri më tani, vetëm katër presidentë amerikanë kanë fituar këtë çmim: republikani Theodore Roosevelt (1906), dhe demokratët Woodrow Wilson (1919), Jimmy Carter (2002) dhe Barack Obama (2009).























