Dështon sërish konstituimi i legjislaturës së nëntë
B.H./RTKlive
(Përditësuar, 11:20) Për herë të 37-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Nga 92 deputetët që ishin në sallë, 52 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati. Seanca tjetër mbahet pas 48 orësh.
Haxhiu: Opozita që 29 herë nuk po merr pjesë në votim
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka fajësuar partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë për dështimin e 37-të të konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se ata po e bllokojnë procesin pasi nuk po marrin pjesë fare në votim.
“Me mungesën e vullnetit për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, opozita po e zgjat mandatin e Qeverisë Kurti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë. Gjatë kësaj kohe, në vend që të kemi përpjekje nga opozita dhe kryetarët e tyre që ta konstituojnë Kuvendin, siç kemi parë edhe sot, ata vijnë dhe nuk marrin pjesë fare në votim. Nuk ka kuptim të vish në seancë, që 29 herë prej kur ka filluar propozimi i kryesuesit të seancës për votimin e fshehtë, dhe të mos votojnë as për, as kundër, as abstenim”, tha ajo.
Ajo tha se janë duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se do ta respektojnë atë.
Haxhiu ka thënë se janë takuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe kanë ndarë me ta pozicionin e tyre politikë.
Limaj: Jemi tepër të vonuar, të ulemi e të bëjmë marrëveshje politike
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas dështimit të 37-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, tha se është vonë për themelimin e institucioneve të reja dhe duhet zgjidhje e shpejtë.
“Duhet të iket nga kalkulimet dhe lojërat jashtë. Duhet të fokusohen e përqendrohen për atë që presin qytetarët e Kosovës dhe shteti sa më shpejt. Jemi tepër të vonuar, të ulemi e të bëjmë një marrëveshje politike”, ka thënë ai.
Statovci: Egoja e opozitës më e lartë se interesi i Kosovës
Jeta Statovci nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pas seancës së sotme ka thënë se egoja e opozitës është shkaktar i bllokadës për dështimin e 37-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës
“Egoja e opozitës është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Andaj përmes një strategjie sabotuese dhe bllokuese, nuk kemi pjesëmarrje në procesin e votimit”, ka thënë ajo.
Zogaj: Protesta e shoqërisë civile t’i drejtohet VV-së, fajtor i ngërçit
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj ka thënë se nuk ka përpjekje serioze për të dalë nga ngërçi politikë,pas dështimit të 37-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
“Qytetarët dhe shoqëria civile kanë filluar të protestojnë dhe kjo është një shenjë e mirë. Këtë protestë duhet drejtuar ndaj partisë më të madhe në vend, fituesja e zgjedhjeve. Për arsye se fajtori kryesor është partia që i ka fituar zgjedhjet në këtë vend”, ka thënë ai.
Çitaku: Jemi në bllokadë për shkak të papërgjegjësisë së VV-së
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku pas dështimit të përpjekjes së 37-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se ky ngërç politik është si rezultat i papërgjegjësisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në këtë pikë të bllokadës së plotë jemi si rezultat i kryeneçësisë, papërgjegjësisë së Albin Kurtit dhe LVV-së. I dëgjojmë deklaratat qesharake që gjoja i kanë numrat për Qeverinë, por jo për Kuvendin. I bëjmë thirrje kryetarit të LVV-së që të reflektojë, Kosova është shumë më e madhe dhe e rëndësishme sesa egoja e tij”, ka thënë ajo.
Vazhdimi i seancës dështoi pasi kuvendi nuk pati kourum as kësaj here. Deputetët kanë votuar me 52 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim për propozimin për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës, por që nuk ka mjaftuar të ecet tutje.
Kuvendi tenton konstituimin për herë të 37-të
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 37-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni.
Procesi vazhdon të mbetet i bllokuar në votimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe deri më tani nuk kanë propozuar as anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim. Si pasojë, sa herë që kjo çështje është hedhur në votim, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Në seancën e fundit, propozimi për themelimin e Komisionit nuk arriti të kalojë, pasi 53 vota ishin për, një kundër dhe asnjë abstenim.























