Gërvalla, reagon ndaj pretendimeve për presion mbi televizionin publik
RTK
Drejtori i Televizionit Publik të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar lidhur me pretendimet për ndërhyrje politike në RTK, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të motivuara nga interesa të ngushta.
“Po synohet të ndërtohet një narracion i rremë, që dorëheqja e ish-drejtorit Shkumbin Ahmetxhekaj ka ndodhur për shkak të presionit politik ndaj RTK-së. Kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ai ka theksuar se është e papranueshme gjuha e shpifjeve dhe insinuatave, qoftë nga eksponentë të afërt me AGK-në apo nga individë që vetëquhen aktivistë, të cilët, sipas tij, janë të lidhur politikisht, si në baza pune ashtu edhe përmes lidhjeve familjare me parti të caktuara.
“Deklarata të tilla nuk janë argumente. Ato synojnë vetëm dëmtimin dhe njollosjen e reputacionit të RTK-së" , ka shtuar Gërvalla.
Ai ka nënvizuar se RTK udhëhiqet nga standardet profesionale, ku liria e shprehjes dhe pavarësia editoriale janë bazë e funksionimit të saj, dhe se menaxhmenti është i vendosur të mos lejojë askënd ta cenojë këtë pavarësi.
“Rezultatet e ndërhyrjeve të deritanishme u panë qartë me bordin e fundit dhe me të ashtuquajturat ide “reformuese”, që synonin largimin e qindra punëtorëve nga RTK. Këto plane dështuan për shkak të arrogancës dhe papërgjegjësisë së një grupi të vogël individësh, të cilët mes vete shpërndanin pozita menaxheriale, duke i shkaktuar RTK-së dëme të mëdha” ka theksuar ai.
Në fund, Gërvalla u ka bërë thirrje të qartë të gjithë atyre që kanë synime të tilla, të mbajnë duart larg RTK-së. "Ky institucion do të mbetet i pavarur, profesional dhe në shërbim të publikut, pavarësisht presioneve apo interesave individuale dhe politike", shkruan ai.























