KQZ mban mbledhje, merr disa vendime
BKT
Lajme

KQZ mban mbledhje, merr disa vendime

Edina Avdiu| RTK

Në mbledhjen e KQZ-së anëtarët u njoftuan se nga shpallja e datës së zgjedhjeve lokale 2025 dhe deri më 1 korrik janë realizuar në tërësi 33 aktivitete nga 269 sa janë planifikuar në përgjithësi, ndërkaq një pjesë tjetër është në zhvillim e sipër.

Po ashtu, anëtarët u informuan se është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 1 korrik, janë pranuar 246 kërkesa, prej të cilave 212 janë aprovuar, ndërkaq 34 të tjera janë refuzuar për shkak të dokumentacionit të paplotësuar.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se ka filluar programi orientues për trajnimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, i cili fillimisht është mbajtur për anëtarët e disa komunave dhe do të vazhdojë edhe gjatë javës.

KQZ mori vendim për numrin e fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen për këto zgjedhje. Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të shtypen 1,800,000 fletëvotime, ndërkaq për raundin e dytë, planifikohen të shtypen 1,250,000 sosh. Po sipas vendimit të KQZ-së, në zgjedhjet për Kuvende Komunale do të shtypen 1,800,000 fletëvotime. Bazuar në të dhënat e raportit të Listës Preliminare të Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit është: 2,075,868 votues.


MË SHUME NGA Lajme