Komuna e Prishtinës: Jemi në krizë financiare nga bllokimi i Kuvendit
BKT
Lajme

Komuna e Prishtinës: Jemi në krizë financiare nga bllokimi i Kuvendit

M.P. / RTKlive

Komuna e Prishtinës nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë, duke treguar se kryeqyteti është në gjendje të krizës financiare totale.

Në komunikatë thuhet se Prishtina është pa buxhet prej më shumë se gjysmë viti, dhe sipas tyre kjo situatë ka karakter politik.

“Çerdhet dhe kopshtet nuk kanë më fonde për të siguruar ushqim për fëmijët. Programet sociale janë bllokuar. Familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, artistët dhe sportistët kanë mbetur pa asnjë mbështetje institucionale. Rreziku është alarmant dhe prek të gjitha shërbimet jetike në Kryeqytet: qendrat e kujdesit shëndetësor dhe transporti publik rrezikojnë shërbimin dhe arsimi parashkollor është në vështërsi. Të gjitha shërbimet jetike janë prekur nga bllokada e qeverisë”, thuhet në komunikatë.

Më tej komuna njofton se janë bllokuar edhe të hyrat vetanake, ndërkaq kanë thënë se u janë drejtuar qe tri herë Ministrisë së Financave.

“Për të tretën herë me radhë, i jemi drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me kërkesën që të veprojë në përputhje me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025 dhe të ofrojë një zgjidhje urgjente dhe ligjore, jo të prodhojë pengesa të reja”, vazhdon reagimi.


MË SHUME NGA Lajme