Rihapet për qarkullim rruga në pikëkalimin kufitar në Hanin e Elezit
M.P. / RTKlive
(E plotësuar, 19:40) Është hapur për qarkullim rruga në pikëkalimin kufitar Kosovë-Maqedoni në Hanin e Elezit.
Lajmin e ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, ndërkohë që edhe gazetari i RTK-së, Driton Ramadani ka raportuar në lajmet e orës 19:30 për qarkullimin e automjeteve nga të dy anët e kufirit. Kjo rrugë ishte mbyllur më herët për shkak se në territorin e Maqedonisë së Veriut kishte shpërthyer një zjarr afër tunelit të Stankovecit.
Zjarr afër pikës kufitare të Maqedonisë së Veriut, bllokohet hyrja
Hyrja në pikën kufitare të Hanit të Elezit është e bllokuar për komunikacion si pasojë e një zjarri.
Kështu ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
“Sot, më datë, 07.07.2025 rreth orës 16:00 nga pala e RMV-së jemi njoftuar se në Maqedoninë e Veriut është ndezur zjarr afër tunelit– Stankovec, në RMV dhe Policia e RMV-së e kanë ndalur qarkullimin e veturave dhe janë duke i orientuar drejtuesit e veturave që të gjejnë rrugë alternative për të kaluar në drejtimin Bllacë - Shkup apo anasjelltas”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se edhe rrugët në Maqedoninë e Veriut për rreth magjistrales Tunel – Stankovec janë të bllokuara.























