Miftaraj: Të sigurohet integritet i hetimeve për vdekjen e 27-vjeçarit
K. K. / RTKlive
Për seancën dëgjimore në Gjykatën e Lipjanit ndaj pesë policëve të arrestuar, të cilët janë të përfshirë në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, në rrethana ende të pasqaruara, në këtë qytet, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) theksoi se “ajo çfarë është me rëndësi është se në këtë seancë prokurori i rastit kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ta arsyetojë me fakte dhe dëshmi dhe ta bind gjykatën nëse pesë policët, këtë rast të dyshuar, duhet të ju caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve apo jo”.
Ai në magazinën ‘Info Plus’ në RTK tha se gjykata, pasi t’i marrë versionet e policëve, avokatëve të tyre mbrojtës, duhet ta japë masën të cilën e vlerëson se është e përshtatshme për të siguruar që pastaj hetimet të bëhen në mënyrë të drejtë, të pavarur dhe të sigurohet integriteti i hetimeve.
Miftaraj shtoi se ajo çfarë ka ndodhur në këto dy ditët e fundit është se ka ngritur vetëdijen, interesimin e publikut lidhur me vdekjen e një 27-vjeçari.
“Ajo çfarë kemi thënë si IKD, pa marrë parasysh se si është menaxhuar ose jo kjo situatë, ne kemi një fakt të pakontestueshme, që një shtetas i Kosovës, në këtë rast një 27-vjeçar, ka humbur jetën në duar të shtetit, në duar të policisë, andaj edhe veprimet dhe të gjitha masat që ndërmerren për këtë rast do të duheshin të bëheshin në atë mënyrë që në radhë të parë ta bindin familjen se po zhvillohen hetime e një proces i drejtë, i paanshëm, që garanton që do të përkthehet në drejtësi dhe të nxirren mësime që rastet e tilla mos të përsëriten”, shtoi ai.
I pyetur se pse seanca është mbajtur e mbyllur për medie, ai tha: “Gjykatat në Kosovë, në parim, por jo të gjitha, e kanë ndërtuar një praktikë ku seancat për caktimin e masës së paraburgimit janë të mbyllura për publikun, që do të thotë nuk lejohet monitorimi nga ana e medieve, organizatave qeveritare. Në rastin konkret e pamë që iu mohua kjo e drejtë edhe vetë avokatit mbrojtës, në këtë rast të viktimës së familjes së të ndjerit”.























