Koci: Nëse nuk ka zgjidhje, Kosova mund të ballafaqohet me kaos e anarki
BKT
Lajme

Koci: Nëse nuk ka zgjidhje, Kosova mund të ballafaqohet me kaos e anarki

V.S/RTKlive

Njohësi i zhvillimeve politike, Melazim Koci, në emisionin “Info Plus” të RTK-së tha se nëse brenda 30 ditëshit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituim të Kuvendit, nuk ka zgjidhje, Kosova sipas tij, mund të ballafaqohet me kaos e anarki.

“Pres që brenda 30 ditëshit të përcaktuar nga Kushtetuesja, bllokada të zgjidhjet. Sepse në të kundërtën nuk e përjashtoj mundësinë që  Kosova të ballafaqohet me kaos e anarki institucionale, kjo është mundësi shumë reale, sepse pas kalimit të afatit 30 ditor gjykata nuk e ka përcaktuar çfarë ndodhë”, tha ai.

Sipas tij, nëse kalon ky afat, 120 deputetët kanë bërë shkelje të rëndë të kushtetutës e cenim të rendit kushtetues “dhe sipas disa juristëve edhe vepër penale". "Dhe shtrohet pyetja këta deputetë a mund të hyjnë më në parlament. Dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që nëse nuk do të ketë marrëveshje politike, unë pres ndërhyrje të fuqishme të Gjykatës Kushtetuese e të presidentes”.

Koci foli edhe për vizitën e presidentes në SHBA, e që sipas tij, mund të jetë ftuar nga administrata amerikane për të marrë informacione rreth situatës në Kosovë.

“Vizitë e paparalajmëruar e presidentes në SHBA, kjo tregon që mund të jetë vizitë rutinore, por më shumë supozoj të jetë në funksion të krizës aktuale. Nuk e përjashtoj mundësinë që Osmani të jetë ftuar që administrata amerikane të njoftohet nga dora e parë rreth konstituimit të institucioneve të reja”, tha Koci.

Koci tha se deklaratat e fundit të Trump-it ku katër herë brenda një muaji përmendi Kosovën, nuk u morën seriozisht në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Lajme