Masakra e Srebrenicës, rikujtim i fuqishëm që të mos harrohet gjenocidi
BKT
Lajme

Masakra e Srebrenicës, rikujtim i fuqishëm që të mos harrohet gjenocidi

E.H&K. K. / RTKlive

30-vjetori i Masakrës së Srebrenicës shënon një përvjetor shumë të rëndësishëm dhe të dhimbshëm në historinë e njerëzimit dhe sidomos të Ballkanit. Kjo ngjarje tragjike është kujtuar si një nga krimet më të mëdha të luftës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Për këtë është diskutuar në ‘Info Plus” me Shukrie Gori Markoviq, drejtoreshë e OJQ-së Hanuma, Rexho Kojiq, analist dhe Amor Maseviq ish-drejtor i Institutit për Krime Lufte në Bosnje.

Drejtoresha e OJQ-së Hanuma, Shukrie Gori Markoviq, ka thënë se organizata që ajo drejton ka nisur që nga viti i kaluar të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë, duke përfshirë në aktivitetet e saj komunitetet joshumicë në Kosovë, si boshnjakët, goranët e të tjerë.

“Ne punojmë me komunitete të ndryshme dhe synojmë të promovojmë të drejtat e njeriut dhe solidaritetin, sidomos në raste të dhimbshme si ky i Srebrenicës”, ka thënë ajo.

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, mbrëmë në Kino Armata u organizua mbrëmje me dokumentarë dhe filma dedikuar viktimave të gjenocidit. Fillimisht u shfaq një dokumentar i shkurtër për gjenocidin në Srebrenicë i përgatitur nga Kombet e Bashkuara, për një televizion turk, i pasuar nga filmi Grbavica, që flet për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Pjesëmarrja ishte e madhe, njerëzit u solidarizuan me dhimbjen që prek të gjithë pa dallim feje, race apo kombi. Mesazhi ynë është i qartë, kjo dhimbje nuk duhet harruar”, ka theksuar Gori Markoviq.

Ajo ka thënë se shënimi i kësaj dite është një rikujtim i fuqishëm, sidomos për brezat e rinj, që të mos harrojnë historinë dhe të kuptojnë rëndësinë e paqes e drejtësisë.

“Ne që kemi kaluar luftën në Kosovë, e dimë më mirë se askush tjetër çfarë do të thotë të kalosh nëpër dhimbje e humbje. Kjo është arsyeja pse duhet të solidarizohemi me nënat që ende, pas 30 vitesh, presin t’u kthehen eshtrat e bijve të tyre”, ka theksuar ajo.

E Amor Maseviq, ish-drejtor i Institutit për Krime Lufte në Bosnjë, në emisionin “Info Plus” të RTK-së, theksoi se “sot ndjenjat janë të përziera”.

 “Unë para 29 vitesh kam kaluar këtë rrugëtim që kanë kaluar këta të cilët janë munduar të kalojnë dhe nuk ia kanë dalë. 29 vjet kanë kaluar që nga ajo kohë dhe përshtypjet e mia janë të përziera. Nga njëra anë jam i kënaqur sepse një numër i madh i viktimave janë gjetur, janë varrosur, identifikuar, janë përcaktuar shkaqet e vdekjes së tyre”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka një lloj dhembje për persona të tjerë, për më shumë se 100 viktima të paidentifikuara.

“Dëshira ime është që sa jam gjallë të përjetoj momentin që edhe këta më shumë se 100 srebrenicas, viktima të masakrës, ta gjejnë prehjen e duhur në këtë vend”, ka deklaruar Maseviq.

Po ashtu, ai tregoi se në këtë vit nuk kishte shumë persona të mitur për t’u varrosur.

“Ishin dy nëntëmbëdhjetëvjeçarë, njëri ishte varrosur pranë vëllait, ndërsa tjetri pranë babait, edhe një grua në mesin e viktimave të gjenocidit, të tjerët burra. Numri i atyre që janë varrosur deri në këtë moment ka kaluar 7 760 persona”, ka thënë ai.

Kurse Rexho Kojiq analist, ka kujtuar me dhimbje ngjarjet tragjike të vitit 1995, duke theksuar përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të forcave ndërkombëtare dhe të shtetit serb në dështimin për të mbrojtur civilët boshnjakë.

“Po flasim për një zonë që në vitin 1993 ishte shpallur si zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Një zonë ku civilët do të duhej të mbroheshin, e jo të dorëzoheshin në duart e atyre që do t’i ekzekutonin”, u shpreh Kojiq.

Ai theksoi se forcat ndërkombëtare, përkatësisht garnizoni holandez, nuk arritën të parandalonin hyrjen e forcave serbe dhe dorëzimin e civilëve, ndonëse kishin mandat për t’i mbrojtur ata.

“Trupat ndërkombëtare ishin prezent kur filluan ekzekutimet. Kishim mungesë të vullnetit politik dhe një dorëzim të pastër të civilëve në duar të ushtrisë së Ratko Mladiqit, i cili dha garanci të rreme se civilët do të dërgoheshin në zona të sigurta”, tha ai.Sipas Kojiq, asnjë nga premtimet e dhëna nga komandantët serbë nuk u respektuan. Përkundrazi,ndodhi një nga krimet më të rënda të shekullit XX.

Masakra e Srebrenicës është njohur si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, ndërsa përpjekjet për drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve vazhdojnë ende.

Për herë të parë vitin e kaluar 11 korriku u shënua si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi kjo organizatë miratoi një rezolutë për Srebrenicën, më 23 maj.


MË SHUME NGA Lajme