Kurti në Bosnje: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën
K. K. / RTKlive
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e zëvendëskryeministret, Donika Gërvalla dhe Emilja Rexhepi, kanë marrë pjesë në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Kurti ka shkruar se ajo çfarë ka ndodhur në këtë qytet të të Bosnjë-Hercegovinës, ka qenë paralajmërim i fushatës gjenocidale që do të ndodhte edhe në Kosovë.
"8,372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht nga forcat ushtarake të komanduara nga krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë ishte Beogradi zyrtar ai që dërgoi rreth 4 mijë oficerë ushtrie, armatime të shumta e municione pa fund, për shfarosjen e popullsisë vendëse boshnjake. Në ekzekutimet në masakrën e Srebrenicës mori pjesë edhe njësiti famëkeq “Shkorpionët” të cilët pas Bosnjës do të vinin në Kosovë për të kryer krimet e njëjta, në mesin e të cilave edhe pushkatimin mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999", ka shkruar Kurti në Facebook.
“Ekzekutuar me gjakftohtësi, varrosur në qindra varreza masive, zhvarrosur dhe rivarrosur për të fshehur gjurmët e krimit. Asnjë nuk u kursye. Asnjë nuk u kthye. Evropa nuk kishte parë një krim të tillë barbar që nga viti 1945” ka theksuar Gërvalla në mesazhin e saj”, thuhet në njoftime MPJD-së.
Ajo kujtoi se shumë nga të mbijetuarit e gjenocidit ishin fëmijë kur humbën baballarët, vëllezërit dhe xhaxhallarët e tyre, ndërsa trupat e mbi 1,000 viktimave ende nuk janë gjetur.
“11 Korriku i vitit 1995 shënon jo vetëm rënien e Srebrenicës, por edhe fillimin e gjenocidit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda pak ditësh, 8,372 jetë u shuan në një gjenocid të planifikuar për të zhdukur një popullsi,” nënvizoi ajo, theksohet tutje në njoftim.
"Kosova qëndron në solidaritet të plotë me popullin boshnjak, si dhe me familjet e 8,372 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës", thuhet ndër të tjera në njoftimin e MPJD-së.
“Srebrenica është një vijë ndarëse mes civilizimit dhe mohimit të tij. Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër,” përfundoi ministrja Gërvalla.
Për Republikën e Kosovës, nderimi dhe përkujtimi i viktimave të Srebrenicës mbetet një obligim shtetëror, moral dhe njerëzor, si dhe një përkushtim i vazhdueshëm për parandalimin e mohimit të gjenocidit dhe luftimin e çdo tendence për të relativizuar krimet e së kaluarës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2021 ka miratuar një rezolutë që dënonte ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë dhe u bënte thirrje të gjitha shteteve për përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin e kryerjen e gjenocidit.
Ndërkaq, para një viti Qeveria mori vendim për ta shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
























