Gjenocidi në Srebrenicë: Mohimi si politikë shtetërore|Video
BKT
Lajme

Gjenocidi në Srebrenicë: Mohimi si politikë shtetërore|Video

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Pavarësisht se janë bërë 30 vjet e janë ofruar fakte të bollshme lidhur me gjenocidin e kryer mbi popullin boshnjak në Srebrenicë, Serbia vazhdon ta mohojë termin "gjenocid". Por, si pushtetarët serbë nuk mendon shoqëria civile, e cila thotë se me ardhjen në pushtet të Vuçiqit veçse është rritur mohimi për këtë akt.

Tri dekada pas gjenocidit në Srebrenicë, përballja me të kaluarën në Serbi vazhdon të mbetet e shtypur në margjinat e shoqërisë. Ndërsa sektori civil dhe pjesa pro-evropiane e opozitës angazhohen për të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave, autoritetet në Beograd vazhdojnë të mohojnë një nga krimet më të tmerrshme të kryera në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.

Shoqëria dhe institucionet në Serbi ende nuk tregojnë gatishmëri për të pranuar përmasat e këtij krimi. Narrativa zyrtare përdor termin “krim i tmerrshëm”, por refuzon këmbëngulësisht të përdorë fjalën “gjenocid”.

Sipas Branimir Gjuroviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, në hapësirën politike dhe mediatike të Serbisë dominojnë relativizimi dhe mohimi, ndërsa të dënuarit për krime lufte si Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq paraqiten haptazi si heronj. Ai thekson se në vend të ballafaqimit me faktet dhe respektit për viktimat, krimet fshihen nga kujtesa kolektive.

“Që kur Alleksandar Vuçiq erdhi në pushtet para 15 vjetësh, mohim dhe lavdërim i kriminelëve të luftës morën hov të ri. Pushteti flet për një 'krim të tmerrshëm', por refuzon të përdorë termin gjenocid. Të rinjtë sot rriten me narrativa që justifikojnë krimet dhe barazojnë viktimat me kriminelët,” thekson Gjuroviq.

Edhe me rastin e tridhjetëvjetorit të krimit, presidenti Vuçiq vazhdoi me të njëjtën qasje.
 

“Sot shënohet tridhjetëvjetori i krimit të tmerrshëm në Srebrenicë. Nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por duhet ta ndryshojmë të ardhmen. Në emër të qytetarëve të Serbisë, shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave boshnjake, me bindjen se një krim i tillë nuk do të përsëritet më”, shkroi Vuçiq në platformën X.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, deklaroi se “nuk ka qenë gjenocid”, duke rikonfirmuar qëndrimin e pushtetit aktual, i cili mohon vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Për ta ndryshuar këtë qëndrim, grupi parlamentar i SDA Sanxhakut, me mbështetjen e Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë (LQL) dhe Partisë për Veprim Demokratik, dorëzoi në Kuvend një propozim-rezolutë për njohjen e gjenocidit në përputhje me aktgjykimet ndërkombëtare dhe Rezolutën e OKB-së nga viti 2024, me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit.

Deputeti i LQL-së, Vlladimir Pajiq, thekson se bëhet fjalë për një nismë të përbashkët me synim për t’i dhënë fund relativizimit dhe propagandës zyrtare.

“Rezolutën e kemi dorëzuar bashkë me partnerët tanë nga SDA Sanxhaku, veçanërisht deputetin Ahmedin Shkrijelj. Kjo rezolutë pasqyron qëndrimin që Lëvizja e Qytetarëve të Lirë e përsërit prej vitesh, është koha të përfundojë qasja propagandistike ndaj gjenocidit. Për atë krim duhet të flasim në mënyrë të denjë dhe në përputhje me të vërtetën dhe faktet juridike”, tha Pajiq.

Ai shton se pranimi i kësaj rezolute është i domosdoshëm që Serbia të distancohet qartë nga trashëgimia e regjimit të viteve nëntëdhjetë dhe të refuzojë narrativat që e targetojnë një popull të tërë.

“Nuk mund të lejojmë që veprimet e regjimit të atëhershëm, që shkatërroi Serbinë dhe rajonin, të bëhen qëndrim zyrtar i sotëm. Akoma më pak duhet pranuar gënjeshtra toksike që pushteti e përsërit, se dikush dëshiron të shpallë popullin serb si gjenocidal. Askush nuk e ka thënë këtë,  dhe kjo theksohet qartë në rezolutën tonë.”

Shoqëria civile rikujton se pa njohje zyrtare të së vërtetës, nuk mund të flitet për shoqëri demokratike dhe të ardhme evropiane. Sipas Gjuroviq, e kaluara e luftës në Serbi ende shfrytëzohet si armë politike, duke e penguar në mënyrë serioze përballjen me të kaluarën. Ai shton se mohimi ndodh jo vetëm përmes retorikës politike, por edhe përmes veprimtarive kulturore dhe akademike.

“Pati së fundmi promovim të përmbledhjes me poezi të Radovan Karaxhiqit në Shoqatën Letrare Serbe, me përgëzime publike nga intelektualë të njohur. Në një ambient të tillë, mohimi i gjenocidit bëhet i pranueshëm shoqërisht. Në emisione televizive ftohen persona të dënuar për krime lufte që paraqiten si ekspertë ushtarakë. Ata komentojnë konfliktin në Gaza, ndërsa njëkohësisht justifikojnë krimet e kryera në Bosnjë. Në këtë mënyrë, brezat e rinj ushqehen me narrativa të rreme”, paralajmëron Gjuroviq.

Për të hapur çështjen e përgjegjësisë, një pjesë e deputetëve nga partitë pro-evropiane qëndruan në Srebrenicë për të nderuar viktimat. Në deklaratat e tyre thuhet se kujtimi i 8372 viktimave është hapi drejt një shoqërie më të drejtë dhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët në rajon.

Një pjesë e shoqërisë në Serbi kërkon distancim të qartë nga politika e mohimit, mosndëshkimit dhe glorifikimit të krimeve dhe kriminelëve.

Në Beograd u mbajt një komemorim nga Gratë në të Zeza dhe organizatat e shoqërisë civile me sloganin “Kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin në Srebrenicë”. U kërkua që 11 korriku të shpallet Ditë Zyrtare Kujtimi dhe të hiqen muralet që lavdërojnë Ratko Mlladiqin.

Shoqëria civile dhe një pjesë e opozitës janë të bindur se pa njohjen e qartë të gjenocidit, nuk mund të ketë as konsolidim demokratik, as të ardhme evropiane për Serbinë. Mohimi i gjenocidit, theksojnë ata, është një formë e institucionalizuar e revizionizmit që pengon pajtimin dhe stabilitetin në rajon. 


MË SHUME NGA Lajme