Rasti "Veteranët", organizatat e luftës kundër vendimit të gjykatës
BKT
Lajme

Rasti "Veteranët", organizatat e luftës kundër vendimit të gjykatës

B. H. | RTKlive

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila të premten shpalli fajtorë disa nga anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranëve.

Në një deklaratë të përbashkët për media, këto organizata kanë shprehur qëndrimin e tyre të palëkundur kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve të luftës, por njëkohësisht kanë kritikuar ashpër aktgjykimin e gjykatës, duke e cilësuar si të paarsyetuar dhe të papranueshëm.

“Organizata e Veteranëve, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, kanë ndjekur me vëmendje vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ritheksojnë qëndrimin e tyre të palëkundur dhe parimor: ne kemi qenë dhe mbetemi kategorikisht kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve të luftës. Mbrojtja e statusit juridik dhe moral të luftëtarëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje themelore dhe e panegociueshme për ne, sepse lidhet ngushtë me të drejtën historike të luftës sonë çlirimtare, me sakrificën dhe kontributin e dhënë për lirinë dhe me dinjitetin e shtetit tonë”, thuhet në reagim.

Megjithatë, sa i përket aktgjykimit të sotëm, përmes të cilit gjykata ka shpallur fajtor anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Luftës, këto organizata kanë shprehur rezervat serioze.

“Ky vendim, sipas vlerësimit tonë, është i paarsyetuar dhe i papranueshëm si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë logjik. Është e pakuptueshme që gjykata, në vend që paraprakisht të kërkonte themelimin e një komisioni të ri profesional për të rishikuar mbi 19.500 raste të dyshuara, veproi në mënyrë të kundërt, së pari shpalli fajtorë anëtarët e komisionit ekzistues dhe vetëm më pas udhëzoi Qeverinë që të nisë një proces verifikimi. Një qasje e tillë e përmbys parimet elementare të së drejtës dhe rrit dyshimet për qëllime të tjera përtej ligjshmërisë”, thuhet tutje në reagim.

Këto organizata kanë shprehur shqetësimin dhe mosbesimin e tyre në kompetencën ligjore dhe legjitimitetin politik të qeverisë në detyrë, siç kanë thënë, për të ndërmarrë një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm për historinë e vendit dhe për kategoritë që e kanë bartur mbi supe çlirimin e atdheut.

“Çdo rishikim eventual i listave të veteranëve duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, mbi baza të qarta ligjore dhe me përgjegjësi të plotë institucionale. Ky proces nuk guxon të zhvillohet në mënyrë të njëanshme, të ndikuar politikisht apo me qëllime diskredituese ndaj luftës së drejtë të popullit tonë”, thuhet në fund të reagimit të përbashkët të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve.


MË SHUME NGA Lajme