Analistët: Takimet e Hanrahan në ambasadë, mesazh i qartë (Video)
BKT
Lajme

Analistët: Takimet e Hanrahan në ambasadë, mesazh i qartë (Video)

Edona Podvorica|RTK

Në një kohë kur Kosova po hyn në muajin e gjashtë pa institucione të reja pas zgjedhjeve parlamentare, një diplomat i administratës së re amerikane për çështje evropiane, Brendan Hanrahan, ka qëndruar në Prishtinë. Ai zhvilloi një sërë takimesh me liderët politikë, por të gjitha brenda ambienteve të Ambasadës së SHBA-së, një lëvizje që për analistët bart mesazh të qartë.

Diplomati amerikan Brendan Hanrahan, i ngarkuar për çështjet evropiane në administratën e re të SHBA-së, ka qëndruar në Prishtinë këtë fundjavë, në një periudhë kritike për vendin. Në një njoftim të Ambasadës Amerikane thuhet se vizita e tij synon të shtyjë përpara përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.

Ajo që ra në sy është fakti se të gjitha takimet e Hanrahan u zhvilluan brenda ndërtesës së Ambasadës amerikane në Prishtinë, përfshirë edhe atë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe përfaqësuesit e tjerë politikë. Për njohësit e politikës, ky vendim nuk është rastësor dhe bart simbolikë të qartë.

“Pritja e tij në ambasadë dhe jashtë ambasadës ka treguar që qeveria amerikane ka problematika me qeverinë aktuale në kuptimin e një zyrtarizimi, sepse po të kishte pasur qeveri legjitime, takimi do të ishte bërë në zyrë e kryeministrit, edhe kjo është një dëshmi që SHBA po insiston të kemi qeveri legjitime e Kuvend të formësuar. Sepse pa këto të dyja nuk mund të arrihen as qëllimet e SHBA-ve. Por, ajo që u dëshmua, çka është më serioze se mbi këtë është kohezioni i Shteteve të Bashkuara për mos ndryshimin e raporteve  SHBA-Kosovë”, tha Dritëro Arifi, njohës i zhvillimeve politike.

Sipas tij, duke qenë se Kosova është në një bllokadë politike, zhvillimi i takimeve vetëm brenda ambasadës është mesazh në vetvete.

Ndërkaq, një tjetër njohës i zhvillimeve politike, Shkodran Rexhaj, thotë se mesazhi ishte i qartë, por nuk u shoqërua me presion për zhbllokimin e situatës.

“Kësaj radhe është interesante nga përfaqësuesit, nga vizitat e mëhershme të përfaqësuesve amerikan që kemi pasur nuk ka implikim direkt në rritjen e presionit në konstituim të institucioneve të Kosovës. Kësaj radhe sikur po i lejojnë  të shkojnë deri në fund, deri në maksimum të opozitarizmit ndaj njëra-tjetrës, këto  dy grupe që janë barrikaduar në qëndrimet e tyre”, tha Rexhaj, analist politik.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Hanrahan u takua me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, nënkryetaren e LDK-së Hykmete Bajrami, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të Listës Serbe. Ndërkohë, takimi me presidenten Vjosa Osmani është zhvilluar më herët në Washington, në zyrat e Departamentit të Shtetit, gjatë vizitës së saj zyrtare në SHBA.


MË SHUME NGA Lajme