Zemaj: Nuk preferojmë dy palë zgjedhje, mund të kishte abuzime
BKT
Lajme

Zemaj: Nuk preferojmë dy palë zgjedhje, mund të kishte abuzime

V.S/RTKlive

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se nuk janë për mbajtjen e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht, meqë sipas tij mund të kishte keqpërdorime e abuzime të mëdha.

Ai tha se, Vetëvendosje nuk po do marrëveshje politike. Kështu u deklarua kur u pyet për një takim të ri mes Kurtit e Limajt.

“Ata e kanë për pozicione politike, për kryetarin e Kuvendit ashtu siç është thënë publikisht nga Kurti e Limaj. Ajo çka është parë që LVV-ja nuk do marrëveshje politike, siç duket do që me këtë numër të votave të ketë edhe kryetarin e Kuvendit edhe qeverinë e ardhshme të Kosovës”, tha ai.

Zemaj shtoi se nuk preferojnë dy palë zgjedhje, sepse, sipas tij, është njëfarë interferimi në politikat lokale dhe, siç tha, nuk i konvenon as qytetarëve.

“Mund të ketë keqpërdorime e abuzime të mëdha. Ne kemi pasur përvojë në vitet e largëta të dy palë zgjedhjeve dhe nuk kanë rezultuar të suksesshme”, tha ai, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse do të pranonin si subjekt politik të shkonin në zgjedhje të reja, në datë të njëjtë me ato lokale.

Tutje, deputeti i LDK-së tha se pritshmëri nuk ka, zgjidhje nuk ka, marrëveshje politike nuk ka.

“Pasojat janë të mëdha, kapja e institucioneve, mosfunksionimi i institucioneve të pavarura, pasiguria e madhe në Kosovë, kriza ekonomike, korrupsioni. Ju i patë edhe skandalet që po publikohen, miliona tender për kompani të veçanta të lidhura me LVV-në, kjo është gjendja fatkeqësisht”, tha Zemaj.


MË SHUME NGA Lajme