Gashi: Kosova bëhet vendi i parë në Ballkan me anëtarësim të plotë në EQAR
V.Th / RTKLive
Agjencia e Akreditimit të Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Ky pranim vjen pas një pune të gjatë pesëvjeçare për përmbushjen e 14 rekomandimeve të Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), tha në “Info Plus”, në RTK, drejtori i Agjencisë së Akreditimit, Naim Gashi.
Gashi, theksoi me këtë anëtarësim, Kosova bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që pranohet me të drejta të plota në EQAR.
“Kemi punuar më shumë se pesë vite për të përmbushur 14 rekomandimet e ENQA-s. Vitin e kaluar, Kosova është vlerësuar nga ky asociacion dhe, bazuar në raportin pozitiv që kemi marrë, më 14 korrik kam pranuar letrën nga presidenti i EQAR-it, në të cilën konfirmohet se Agjencia e Akreditimit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në këtë institucion”, deklaroi Gashi.
Ai shtoi se është një imazh jashtëzakonisht pozitiv për shtetin dhe shoqërinë të qenit anëtarë në këtë organizatë, dhe sipas tij është me rëndësi edhe përfitimet që kanë studentët dhe të rinjtë në njohjen e diplomave të tyre për vazhdimin e studimeve, punësimeve, për shkëmbime akademike ose për bursa.























