IKD kërkon rikthimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale
N.M. /RTKlive
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, organizoi sot një tryezë me deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku u publikua raporti me titull “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave – Analizë e reformës qeveritare në fushën sociale”.
Në raport thuhet se pasojat institucionale, sociale dhe ligjore të vendimit për shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe bashkimin e saj me Ministrinë e Financave në kuadër të reformës së vitit 2021.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se vendimi për bashkim ishte i pakonsultuar dhe ka ndikuar negativisht në transparencën dhe dialogun social. Ai shtoi se mungesa e analizës paraprake ka sjellë kosto të mëdha financiare dhe ngarkesë për gjykatat.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, e cilësoi reformën si të dështuar dhe tha se Kosova është ndër vendet e rralla në Evropë pa ministri të dedikuar për punë dhe mirëqenie sociale. Sipas tij, pasojat përfshijnë bllokim të agjendës legjislative, mungesë të inspektorëve dhe paralizim të dialogut social.
Në debat morën pjesë edhe deputetë të partive politike. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se numri i inspektorëve është dyfishuar krahasuar me vitin 2021, por pranoi se mungon specializimi dhe nevojitet përmirësim.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e quajti vendimin për shuarje të MPMS-së të nxituar dhe pa konsultim me sindikatat. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se kjo reformë ka shkaktuar kaos në sistemin social, ndërsa deputeti Veton Berisha ngriti shqetësime për ndikimin e saj tek komunitetet.
Përfaqësues të sindikatave dhe shoqërisë civile, si Ymeri Ymeri, Jusuf Azemi, Ndue Kalaj, Vehbi Mujku dhe Visar Ymeri, adresuan problemet që kanë rezultuar nga kjo reformë, përfshirë mungesën e Këshillit Ekonomiko-Social, pamundësinë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, dhe reduktimin e politikave sociale në transfere financiare.
Tryeza përfundoi me konstatimin se rikthimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion i veçantë dhe funksional është i domosdoshëm për rikthimin e dialogut social dhe përmirësimin e politikave sociale në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.























