Rrezohet mocioni i mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së|Video
Donika Sherifi|RTK
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselt, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit përmes së cilit kërkuan rrëzimin e aktakuzës.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka theksuar se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.
Sipas tij, rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja.
“Trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullit 130 në tërësinë e vet, duke marrë parasysh sa më lart, trupi gjykues nuk është e nevojshme të shkojmë në themelësinë e argumenteve të mbrojtjes sa i takon periudhës së fillimit dhe përfundimit të konfliktit të armatosur jo kombëtar”, theksoi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Avokatët e të akuzuarve në mocion kishin kërkuar rrëzimin e pikave që ndërlidheshin me periudhën para majit 1998 dhe pas qershorit 1999. Seanca po vazhdon e mbyllur për publikun.
Mbrojtja në mocion ka kundërshtuar vetëm një prej aspekteve kryesore të paraqitjes së provave të ZPS-së dhe i ka kërkuar trupit gjykues që të rrëzoj atë çfarë ajo e përshkruan si akuza vetëm në lidhje me pyetjen e dy periudhave kohore që mbrojtja thotë që bie përtej ose shkon përtej fushëveprimit të konfliktit të armatosur të pretenduar nga ZPS-ja.
Qëndrimi i ZPS-së është që në Kosovë ka ekzistuar një konflikt i armatosur jo-ndërkombëtar prej të paktën marsit të 99-tës deri në shtator të 1999-tës.
Mbrojtja ka thënë se Prokuroria nuk ka vërtetuar që ka ekzistuar një konflikt i armatosur në Kosovë përpara fundit të majit të 98-tës dhe pas 20 qershorit të 1999-tës.
Rrjedhimisht mbrojtja i ka kërkuar trupit gjykues që të rrëzoj akuzat në aktakuzë që lidhen me krimet e luftës që pretendohen të jenë kryer përpara fundit të majit të 98-tës dhe pas 20 qershorit të 99-tës
Në Hage nis seanca ndaj krerëve të UÇK-së
Arlinda Sejda /RTK
Në Gjykatën Speciale në Hagë trupi gjykues nisi seancën në çështjen ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Pritet që sot Gjykata Speciale do të bëjë publik vendimin e tyre në lidhje me mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja e të akuzuarve më herët ka dorëzuar këtë mocion më 12 qershor, ndërsa kundërpërgjigja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka shkuar në adresë të Gjykatës më 7 korrik.
Sot vendimi për aktakuzën në Hagë, mbrojtja kërkon rrëzimin e disa pikave
pritet një ndër vendimet e rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Gjykata do të vendosë nëse do t`i rrëzojë disa nga pikat e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Ky hap mund të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e mëtejme të gjykimit.
Procesi gjyqësor ndaj katërshes Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare, dhe cilido qoftë vendimi për rrëzimin ose jo të akuzave, pritet të ndikojë dukshëm në vazhdimin e çështjes.
Sot gjykata do të vendosë për mocionin e mbrojtjes që kërkon rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Avokati Taulant Hodaj shpjegon procedurat që ndjek Gjykata Speciale në këtë fazë.
“Ky është një filtër që, nëse eventualisht aktakuza është e dobët në bazë të provave që i ka ofruar vetë prokuroria dhe dëshmitarët e saj dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretendohet në aktakuzë, atëherë gjykata mund të ndërhyjë. Është një stad i ndërmjetëm: nesër trupi gjykues mund të rrëzojë disa pika të aktakuzës, mund të mos rrëzojë asnjë ose mund të vendosë të vazhdojë me të gjitha. Nga njoftimi zyrtar, nesër do të jepet një vendim, ndërsa është kërkuar nga përfaqësuesi i viktimave që të paraqesë fjalën e tij që në njëfarë mënyre nënkupton se jo të gjitha pikat e aktakuzës do të rrëzohen, apo asnjë prej tyre”, ka thënë ai për RTK.
Sipas tij, rrëzimi i disa pikave të aktakuzës mund ta lehtësojë vendimmarrjen përfundimtare që pritet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Gjykata Speciale tashmë ka dhënë një vendim të formës së prerë në rastin e Salih Mustafës, një vendim që konfirmon aktgjykimin e Apelit, me dënim prej 15 vjetësh burgim.
Sa i përket rastit të Pjetër Shalës, përfaqësuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi, shpjegon procedurat e mëtejshme.
“Qoftë mbrojtja, qoftë prokuroria mund të bëjnë ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Aty nuk bëhet vlerësimi i provave, por mund të paraqiten pretendime për shkelje të ndonjë ligji. Në atë rast, procedurat vazhdojnë në Gjykatën Supreme, e cila mund ta ndryshojë vendimin, mund ta kthejë në rishqyrtim, ose mund të konstatojë se ka pasur shkelje që nuk ndikojnë në ndryshimin e vendimit të Apelit”, ka thënë Veliqi.
Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale ia ka ulur dënimin Pjetër Shalës, i njohur si "Ujku", nga 18 në 13 vjet burg.























