RTK Prime: Rrëzimi i mocionit nuk mbyll procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
BKT
Lajme

RTK Prime: Rrëzimi i mocionit nuk mbyll procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

M.P. / RTKlive

Të ftuarit në RTK Prime kanë thënë se rrëzimi i mocionit në procesin gjykues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Specialen e Hagës nuk është epilogu i ngjarjes. Më tej, ata kanë theksuar se ka pasur edhe reagime jo profesionale dhe kanë shpërfaqur mungesën e vëmendjes ndaj procesit.

Artan Çerkini, avokat i licencuar pranë Dhomave të Specializuara, ka thënë se rrëzimi i mocionit nuk nënkupton përfundim të procesit. Ai ka thënë se mungesa e një praktike të tillë në sistemin tonë gjyqësor ka krijuar pa kuptueshmëri të peshës juridike të vendimit të marrë sot.

“Mbrojtja, duke insistuar që të kemi ekonomizëm të procedurës, ka kërkuar që këto akuza që kanë të bëjnë me periudhën kohore që nuk përfshin 31 maj 1998 – 20 qershor 1999, të hidhet poshtë, në mënyrë që mbrojtja mos të ketë nevojë të paraqesë prova për të argumentuar këtë fakt. Kjo ngase prokuroria me provat e sjella në gjykatë s’ka arritur ta bind trupin gjykues që lufta ka filluar para 31 maj 1998. Ky vendim është procedural, s’është fundi i procesit. Mbrojtja s’ka kërkuar që të gjitha të rrëzohen, ngase mbrojtja mendon që akuzat e tjera do t’i rrëzoj me kundërprova, me dëshmitarë”, ka thënë Çerkini.

“Ajo që mua më ofendon te ky trup gjykues dhe kjo gjykatë është fakti se bëjnë aq shumë gabime juridike, janë aq gabime të thjeshta saqë një njeri nuk ka nevojë të jetë jurist për të kuptuar anësinë ndaj vet procesit gjyqësor. Ata në fakt e fyejnë edhe atë elitë juridike, që janë thirrur që po e krijojnë. Unë mendoj që këto gjykime në të ardhmen, sido që të përfundojnë, kanë me qenë turpi ose shembulli më i keq se si s’duhet të bëhet drejtësia”, ka thënë në anën tjetër ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj.  

Publicisti Muhamet Mavraj, ka folur për reagimet që kanë ndodhur gjatë ditës, duke i quajtur rutinore dhe të rastit. Ai ka pasur kritika për reagimet e LVV-së ndaj kësaj ngjarjeje.

“Ajo që ishte e qartë si loti, që këta njerëz s’janë fare duke e përcjellë procesin, sepse kanë pasur pritje të keqkuptueshme”, ka thënë Mavraj.

Artan Behrami, deputet nga PDK, nëpërmjet një videolidhje, e ka quajtur test për drejtësinë ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës rastin e sotëm.

“Rrëzimi i mocionit është edhe një tregues shumë i madh, ftesë për të bërë bilancë e për ta pyetur secili, sidomos institucionet e Kosovës, se çka kemi bërë për të mbrojtur krerët e UÇK-së dhe përmes tyre edhe luftën e të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Behrami.

 


MË SHUME NGA Lajme