Italia eliminon Norvegjinë dhe kalon në gjysmëfinale të Euro 2025
Uran Krasniqi / RTKLive
Italia ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kampionatit Evropian për femra Euro 2025, pasi ka mposhtur Norvegjinë me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen çerekfinale.
Cristiana Girelli ka qenë heroina e një ndeshjeje dramatike, duke shënuar dy gola vendimtarë për italianet.
Italia ka dominuar që në fillim, me Arianna Caruso që ka humbur një shans të mirë.
Italianet kanë vazhduar të krijojnë rrezik gjatë pjesës së parë, por asistimet e Barbarës Bonansea janë shpërdoruar nga Emma Severini dhe Girelli.
Para pushimit, Severini dhe Manuela Giugliano kanë humbur edhe disa mundësi të tjera për Italinë, ndërsa Norvegjia e ka krijuar rrezikun e parë me një kros të rrezikshëm të Lisës Naalsund, i cili është devijuar.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Signe Gaupset ka humbur një rast të mirë për Norvegjinë, duke goditur jashtë.
Italia e ka nisur pjesën e dytë më mirë.
Girelli e ka realizuar golin e parë në minutën e pesëdhjetë pas një asisti nga Sofia Cantore.
Norvegjezja Ada Hegerberg e ka pasur mundësinë ta barazonte rezultatin me penallti në minutën e gjashtëdhjetë, por ka gabuar. Megjithatë, ajo e ka përmirësuar gabimin duke barazuar rezultatin në minutën e gjashtëdhjetë e gjashtë.
Kur është dukur se ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, në skenë ka dalur Girelli që e ka shënuar golin e dytë personal në minutën e nëntëdhjetë, duke siguruar fitoren për Italinë.
Tash Italia në gjysmëfinale do të përballet me fituesen e sfidës Suedi – Angli.
https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=699531























