SPERTK paralajmëron protesta: Rrezikohen pagat dhe funksionimi i RTK-së
RTKlive
Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së ka reaguar përmes një komunikate, duke shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar pas mosshpërndarjes së mjeteve buxhetore për gjashtëmujorin e dytë të vitit për RTK-në, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas sindikatës, punonjësit e transmetuesit publik “rrezikojnë që këtë muaj të mbesin pa paga, ndonëse për shumicën e tyre RTK-ja është i vetmi vend pune dhe burim i të ardhurave, ndërkohë që kanë edhe obligime të rregullta financiare dhe kreditore.”
Sindikata kërkon “në mënyrë urgjente nga institucionet përgjegjëse dhe ato në detyrë të bëjnë shpërndarjen e buxhetit për gjashtëmujorin e dytë, në mënyrë që të mos rrezikohet as ekzistenca e pagave e as funksionimi i transmetuesit publik.”
Në komunikatë theksohet se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, “paralajmërojmë se do të dalim në protesta për të kërkuar këtë të drejtë tonën të garantuar me ligj, dhe për të mbrojtur transmetuesin e vetëm publik në vend.”
Kryesia e SPERTK-së kujton se “RTK është i rregulluar me Kushtetutë, dhe pengimi i funksionimit të saj përbën shkelje ligjore me pasoja ligjore.” Sipas saj, sindikata do të ndërmarrë “të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur dinjitetin e kolegëve tanë dhe për të kërkuar kushte më të mira për punën e tyre.”
Në komunikatë thuhet gjithashtu se “është e papranueshme që, përveç faktit që nuk ka rritje të pagave në RTK, tash po rrezikojmë të mbesim edhe pa këto paga që marrim, nëse nuk bëhet shpërndarja e buxhetit për gjashtëmujorin e dytë.”
Sindikata i bën thirrje institucioneve të veprojnë menjëherë dhe të mos e fusin në kolaps një institucion publik të rëndësisë së veçantë për shoqërinë dhe demokracinë në vend. Po ashtu, u drejtohet të gjithë punonjësve të RTK-së me kërkesën që "t'i mbështesin në veprimet sindikale që do të ndërmarrim brenda këtyre ditëve, për të mbrojtur të drejtat dhe funksionimin normal të RTK-së".
Ndryshe, RTK ka tri sindikata, SPRTK, SPERTK dhe Sindikata e Radios.























